Lorenz Vogeli, zvicerani që bëri kilometra rrugë me biçikletë për ta vizituar Kosovën
Pasionet e njerëzve janë të ndryshme. Pasioni i zviceranit Lorenz Vogeli është udhëtimi. Ai ka zgjedhur të vijë deri në Kosovë me biçikletë, shkruan Mediafokus.info
Pa dyshim se udhëtimi me biçikletë i ka edhe sfidat e veta. Nuk është i njëjtë sikur udhëtimi me tren, me aeroplan, apo me veturë. Biçikleta do muskuj. Ajo shpenzon nga energjia jote.
Tërë këtë rrugëtim Vogeli e realizoi për pak ditë, aq sa kishte pushim, sepse i duhej të kthehet mbrapsht për punë.
Lorenz Vogeli tregoi për Mediafokus.info se si i ka shkuar udhëtimi deri këtu në Kosovë.
Thotë se udhëtimi deri këtu i ka shkuar shumë mirë, madje më mirë se që ka menduar. Njerëzit gjatë rrugës janë treguar miqësor me të.
“Unë kam dëshirë të eksploroj vende ku nuk kam qenë më parë dhe ky udhëtim ishte njëra nga ëndrrat e mia’’, thotë ai.
Qëllimi i tij ka qenë ‘lidhja me natyrën’ prandaj ka zgjedhur kampingun si mënyrë pushimi gjatë rrugëtimit.
Pasione të tilla kanë edhe kosovarët. Njëri prej tyre e bëri po ashtu me biçikletë rrugën deri në Zvicër, vitin e kaluar, duke përshkruar rreth 2000 kilometra.
Përvojat si kjo e zviceranit Lorenz Vogeli, gjithsesi janë të veçanta dhe shumë emocionuese, sepse gjatë rrugës teston veten, po edhe solidaritetin e njerëzve tjerë kundrejt teje dhe një pasioni të tillë.
Vogeli ka përçuar kësisoj edhe një mesazh te të rinjtë se çdo gjë është e arritshme nëse ekziston vullneti dhe përkushtimi.
Ne i dëshiruam rrugë të mbarë këtij të riu zviceran, i cili tani është duke e përshkuar Kroacinë. /Mediafokus.info


