Lufta në Ukrainë mori jetën e 205 fëmijëve

Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës bëri të ditur se 205 fëmijë kanë humbur jetën dhe 362 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të ushtrisë ruse që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.

Ndërkaq, ushtria ukrainase pretendon se Forcat e Armatosura të Rusisë kanë filluar të mobilizojnë burra ukrainas.

“Pushtuesit rusë filluan të mobilizojnë burrat në qytetin e rrethuar të Iziumit në Ukrainë për shkak të mungesës së burimeve njerëzore”, deklaroi Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës përmes një deklarate me shkrim, raporton trt.net

“Në Herson, ku po vazhdojnë përgatitjet për të ashtuquajturin referendum, mes banorëve të qytetit po përhapen zëra se qytetarët do të rekrutohen me forcë”, shtoi ai.

Mes të tjerash, Shtatmadhoria ukrainase vuri në pah se ushtria ruse ka intensifikuar luftimet në pjesët lindore të vendit.

“Ushtria ruse vazhdon sulmet me raketa dhe bomba në qytetin e Mariupolit duke përdorur bombardues strategjikë të tipit «Tu-22M3». Po bëhen përpjekje për të rrethuar qytetin e Harkovit”, nënvizohet në deklaratën e ushtrisë ukrainase.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha se ushtarët në frontin e Mariupolit nuk janë dorëzuat dhe po vazhdojnë të luftojnë.

Duke folur për shtypin amerikan, Denys Shmyhal theksoi se asnjë qytet i madh i vendit të tij nuk ka rënë dhe se të gjitha qytetet, me përjashtim të Hersonit tashmë në duart e Forcave të Armatosura Ruse, janë nën kontrollin e Ukrainës.

Sipas tij, mbi 900 qytete, kasaba dhe fshatra në Ukrainë janë çliruan nga pushtimi rus.

“Ne s’do të dorëzohemi kurrë”, potencoi Shmyhal duke rikujtuar se ushtria ukrainase vazhdon të luftojnë në rajonin e Donbasit.

Nga ana tjetër, Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës njoftoi se kanë rrëzuar një helikopteri rus të tipit “KA-52 Alligator”.

“Pushtuesit rusë vazhdojnë të bombardojnë dhe të rrahin me zjarr raketash e artilerie qytetet paqësore ukrainase duke sjellë dhimbje, vdekje dhe mosmarrëveshje.

Megjithatë ata vazhdojnë të pësojnë humbje të konsiderueshme si në tokë ashtu edhe në ajër.

Gjatë 24 orëve të fundit, ne kemi rrëzuar 1 helikopter «KA-52 Alligator», 2 helikopterë «Mi-24», 1 aeroplan dhe 1 mjet fluturues pa pilot «Orlan-10»”, deklaroi Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë kundër veprimeve të ushtrisë ruse në rajonet jugore Herson dhe Zaporizhie të vendit.

Në fjalimin e tij të përditshëm drejtuar kombit, Volodymyr Zelensky vlerësoi luftën ruso-ukrainase që la pas ditën e saj të 53-të.

“Bota duhet të reagojë ndaj veprimeve të pushtuesve në rajonet Herson dhe Zaporizhie, në jug të Ukrainës”, deklaroi udhëheqësi ukrainas duke hedhur pretendimin se ushtria ruse kishte ngritur dhoma torture paraburgimi.

“Drejtuesit tanë lokalë dhe krerët e shoqatave të njohura po rrëmbehen. Mësuesit po shantazhohen. Pensionet po konfiskohen. Ndihma humanitare po vidhen. Njerëzit po shtyhen drejt urisë”, u shpreh ai.

Zelensky tërhoqi vëmendjen më tej se ushtria ruse po përgatitet të sulmojë rajonet lindore të vendit.

“Me kuptimin e plotë të fjalës, ata duan të shkatërrojnë edhe Pellgun e Donjeckut (Donbas) sikurse po shkatërrojnë Mariupolin. Ata duan të fshijnë rajonet e Donjeckut dhe Luganskut nga faqja e dheut”, theksoi presidenti ukrainas.

Sipas tij, 18 persona u vranë dhe 106 u plagosën si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme gjatë 4 ditëve fundit në qytetin e Harkovit.

Zelensky i përshkroi sulmet e ushtrisë ruse si “terror i vetëdijshëm” dhe shtoi: “Sigurisht që nevoja për një embargo kundër furnizimeve me naftë nga Rusia po rritet dita-ditës. Tani të gjithë në Evropë dhe Amerikë kanë filluar të shohin se Rusia po përpiqet haptazi të destabilizojë shoqëritë perëndimore.”

Lideri ukrainas potencoi gjithashtu se prej tashmë 53 ditësh janë në pritje të armëve që kanë kërkuar.

“Dua ta bëj të qartë. Çdo vonesë, çdo zvarritje politike lidhur me armët (që do të dërgohen), është autorizim që Rusia t’u marrë jetën ukrainasve”, tha Presidenti Zelensky duke kritikuar faktin që disa nga dërgesat e armëve janë planifikuar të dërgohen në maj.