‘Lufta’ për Ulqinin
Kryetari i Komunës së Podgoricës, Ivan Vukoviq dhe kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq, theksuan problemet me të cilat mund të ballafaqohen qytetarët e Ulqinit nëse në krye të pushtetit lokal vijnë strukturat që përbëjnë shumicën aktuale parlamentare, raporton ul-info.com
Në takimin e organizuar dje u drejtua kryetari i Komunës së Podgoricës dhe nënkryetari i PDS-së, Ivan Vukoviq, i cili ftoi të pranishmit që t’i shikojnë pasojat katastrofike të punës së qeverisë në largim. Ai rikujtoi faktin se gjatë qeverisjes së tyre, harmonia shumëkombëshe dhe multietnike, si dhe identiteti qytetar i Malit të Zi u rrezikua rëndë.
“Për herë të parë në historinë e Malit të Zi kemi pasur njerëz për të cilët ide të tilla ishin të huaja dhe për ta pjesëtari i një pakice fetare apo kombëtare nuk mund të ishte kurrë qytetar i rendit të parë. Ky ishte rreziku më i madh dhe thelbësor për Malin e Zi. Kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme që PSD-ja t’i mbijetonte kësaj sfide politike, të qëndronte e bashkuar, sepse PSD përbën strukturën që është themeli i Malit të Zi qytetar, multietnik dhe evropian”, u shpreh Vukoviq.
Ai u bëri thirrje ulqinakëve dhe ulqinakeve që me 27 mars të mendojnë për veten e tyre, të mos shkojnë pas njerëzve që vijnë nga anash dhe mundohen t’u shpjegojnë atyre nga niveli i politikës së lartë se çfarë është zgjedhje më e mirë për ta.
“Mendoni për veten tuaj, që nesër do të zgjoheni në të njëjtin Ulqin ku jetoni dhe se keni nevojë për dikë që e njihni, që mund ta telefononi dhe t’ja tregoni një problem si dhe të prisni që ai ta zgjidhë atë. Ju duhet dikush që jeton me qytetin, dikush që e do qytetin dhe dikush për të cilin Ulqini është prioritet. Mendoj se këta janë njerëz i keni, jo sepse janë miqtë e mi, por sepse e di se si punojnë dhe si e përjetojnë punën e tyre”, tha Vukoviq.
Në fund ai nënvizoi shembujt nga disa komuna tjera bregdetare.
“Keni mundësi të shikoni komuna që gjenden jo më larg se 50 km nga këtu, të shikoni se si mund të çvlerësohet ky privilegj, dhe është privilegj të jesh njeriu i parë i qytetit, duke ja dhënë dikujt që nuk e meriton dhe që e zbret rëndësinë e shërbimit publik në nivelin e përmbushjes së interesave të ngushta politike dhe partiake. Këta janë shembujt e Budvas, Kotorrit dhe Tivatit sot”, përfundoi nënkryetari i PDS-së.

