Lugina çohet në këmbë, Demo Berisha nuk përfaqëson shqiptarët
Propozimi i Demo Berishës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi ka shkaktuar reagime të shumta te spektri politik shqiptarë në Luginë të Preshevës
Deputeti popullor Shaip Kamberi ka deklaruar se propozimi i Demo Berishës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi.
Sipas tij, ky emërim është jo vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm, sepse Demo Berisha nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.
“Siç dëshmojnë pamjet, deklaratat dhe intervistat publike, Demo Berisha është një ish-oficer i ushtrisë serbe, pjesë e strukturave që kanë qenë të përfshira në krime të luftës në Kosovë.
Edhe pse thotë se është nga Peja, ai publikisht deklaron se atdheu i tij është Serbia, se Kosova është “Kosova e Metohisë” dhe mohon ekzistencën e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kaq – ai është themelues i një organizate me emër serb, “Matica Albanaca Srbije,” ku mbrohet trashëgimia e bashkëpunëtorëve të Serbisë në periudhat më të errëta të historisë sonë, madje edhe Esat Pashë Toptani, i njohur për tradhti ndaj kombit shqiptar”, ka shkruar ai në Facebook.
Kamberi ka theksuar se Demo Berisha vetëm mund të jetë Faik Jashari 2.0, i cili ishte pjesëmarrës në delegacionin e Serbisë në Rambuje.
“Faik Jashari, edhe pse kishte zgjedhur të mbetet pjesë e institucioneve të Serbisë para vitit 1999, pas luftës u detyrua të largohej nga Kosova dhe për 20 vjet nuk është kthyer më.
Ai është simbol i një të kaluare që ka përfunduar. Ai mbetet jashtë institucioneve, jashtë Kosovës, si një figurë e harresës dhe disfatës, figure kuislingë”, ka shkruar Kamberi.
Deputeti shqiptar ka theksuar se Demo Berisha, i cili ndan të njëjtën ideologji me Jasharin – që Kosova është Serbi dhe shqiptarët duhet të nënshtrohen nën këtë realitet, po promovon këtë frymë si “shqiptari model” për Serbinë.
“Ai shfaqet në intervista duke mohuar NATO-n, duke përkrahur narrativën serbe për luftën dhe duke u paraqitur si përfaqësues i shqiptarëve në Serbi.
Ai është përdorur dhe po përdoret si një mjet propagandistik për të legjitimuar narrativën se shqiptarët janë të integruar dhe të kënaqur në Serbi – për sa kohë që ata mohojnë Kosovën dhe i binden Beogradit.
Demo Berisha nuk përfaqëson shqiptarët, por një version të të instrumentalizuar për interesa të politikës serbe, sikurse disa tjetë në periudhën e Millosheviqit.
Propozimi i tij si ministër nuk është për të drejtat e njeriut, por për vazhdimin e një politike që do të shuajë zërin e shqiptarëve të vërtetë në Serbi, sikurse përfaqëson edhe një fyerje për të gjitha pakicat tjera në Serbi, që përbëjnë 20 për qind të popullatës së këtij shteti”, ka shkruar ai.
Kamberi ka shtuar se ky propozim është i rrezikshëm sepse legalizon mohimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, dhe institucioni që duhet të mbrojë të drejtat e tyre do të shndërrohet në një parodi të vetvetes.
“Prandaj, ky emërim nuk duhet të kalojë pa reagim – as nga shqiptarët e Luginës, as nga institucionet në Prishtinë, as nga Tirana zyrtare dhe as nga faktori ndërkombëtar”, ka shkruar ai, duke shtuar se heshtja ndaj këtij absurdi është bashkëfajësi.
Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani ka deklaruar se “Emërimi i Demo Berishës si kandidat për Ministër të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave është një fyerje për qytetarët shqiptarë në Luginë, për familjet tona, për historinë dhe sakrificën tonë kolektive.
Ky emërim nuk është përfaqësim, por një përpjekje e ulët për të krijuar një iluzion për bashkëjetesë dhe barazi, ndërkohë që realiteti në terren është krejtësisht ndryshe.
Demo Berisha nuk përfaqëson shqiptarët e Luginës së Preshevës–ai është zëri i atyre që kanë ndërtuar karrierë mbi mohimin e identitetit tonë, mbi heshtjen për padrejtësitë që na bëhen çdo ditë”.
Sipas Ardita Sinanit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kërkohet përfaqësim autentik, dinjitoz dhe i bazuar në vullnetin e qytetarëve – jo në emërime të fabrikuara për të shërbyer si dekor për ndërkombëtarët dhe për të mbuluar mungesën e të drejtave themelore.
“Shqiptarët e Luginës nuk kanë harruar asnjëherë kush jemi, ku jetojmë dhe pse vazhdojmë të kërkojmë barazi.
Ne nuk jemi pakicë që kërkon mëshirë, por popull që kërkon të drejtat që i takojnë me Kushtetutë, me marrëveshje dhe me dinjitet.
Presheva që unë përfaqësoj qëndron e bashkuar për të drejtat e saj, me kokën lart dhe zërin e qartë” ka deklaruar Sinani.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi në reagimin e tij thekson se 𝐃𝐞𝐦𝐨 𝐁𝐞𝐫𝐢𝐬𝐡a 𝐪𝐨𝐟𝐭ë 𝐞𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐢 𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭ër 𝐩𝐞𝐫 𝐭𝐞 𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐚𝐭 𝐞 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐢𝐮𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐭𝐞 𝐏𝐚𝐤𝐢𝐜𝐚𝐯𝐞 𝐧𝐮𝐤 𝐢 𝐩𝐞𝐫𝐟𝐚𝐪𝐞𝐬𝐨𝐧 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ët “Emërimi i Demo Berisha si kandidat për ministër të të drejtave të njeriut dhe të pakicave nuk është as përfaqësim, as vlerësim për komunitetin shqiptar në Serbi.
Kjo është një provokim i pastër, një fyerje për kujtesën kolektive dhe për përpjekjet e vazhdueshme për barazi dhe drejtësi.
Demo Berisha nuk është zëri i shqiptarëve. Ai është produkt i propagandës që synon të shfaqë një “pošteni albanac” për Beogradin, një shqiptar që mohon Republikën e Kosovës, që nuk njeh flamurin e tij kombëtar, që glorifikon Esat Pashë Toptanin dhe që përfiton politikisht nga mohimi i realitetit të shqiptarëve në Serbi.”
Rexhepi ka bërë të ditur se si Këshill Kombëtar Shqiptar, nuk do të heshtim përballë përpjekjeve për të relativizuar sakrificat tona dhe për të injoruar padrejtësitë e vazhdueshme ndaj nesh.
Shqiptarët në Serbi nuk kanë nevojë për emërime dekorative.
Ata kanë nevojë për përfaqësim të denjë, për zë autentik dhe për angazhim të sinqertë në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
