Lugu i Thundërmushkës, e dini ky gjendet ky vend në Kosovë?
Izeir Hyda
Në perëndim të fshatit Pogragjë shtrihet kodra e Çukës.
Luginën, që e ndanë këtë kodër, në dy pjesë, ne e quajmë Lugi i Laknave. Toponim i vjetër i këtij lugu, i vjetër sa edhe vet kodra e Çukës dhe banorët e kësaj ane.
Pogragja si vendbanim kodrinor-malor ka një numër të madh përrenjsh e lugjesh, të cilët për shkak të përthyerjeve të relievit rrjedhin në drejtime të ndryshme por, të gjithë këta përrenj e lugje derdhen në tre lumenjtë e Pogragjës, në Lumin e Llapushnicës, në Lumin e Sllubicës dhe në Lumin Morava.
Të gjitha lugjet e Pogragjës kanë emra shqip, që si toponime të hershme janë ruajtur brez pas brezi, deri në ditët tona.
Lugjet kryesore të Pogragjës janë: Lugi i Hajdukit, Lugi i Osmonit, Lugi i Shkurtë, Lugi i Msheftë, Lugi i Hoxhës, Lugi i Krekzave, Lugi i Kishës, Lugjet Bumbullan, Lugi i Kalit, Lugi i Jahijes, Lugi i Laknave etj.
Lug – lugu, sh. lugjet, emër i gjinisë mashkullore – vend i thelluar në ndonjë arë, livadh, fushë, mal apo kodër, nëpër të cilin rrjedh uji.
Lugjet janë krijuar për shkak të erozionit të tokës apo nga të reshurat atmosferike dhe rrjedhës së ujit.
Nga fjala lug me prapashtesën ‘aja’ është krijuar emri i prejardhur lugaja, që paraqet një vend të ulët në formë konvekse – lugore, ku dy anët e saj kanë formë konkave – të mystë (të përmbystë).
Po thuajse, të gjithë lugjet e Pogragjës e kanë këtë formë, me përjashtim të Lugut të Hoxhës, i cili rrjedh kryesisht përmes arave dhe dy anët e këtij lugu kanë sipërfaqe të rrafshët.
Lugi i Laknave rrjedh përmes Kodrës së Çukës, në anën juglindore të saj dhe e ndan atë në dy pjesë: Çuka e Madhe dhe Çuka e Vogël.
Ky toponim hyn në llojin e toponimeve më bazë bimore siç janë Fusha e Basilegut, Kodra e Sherbeleve, Përroni i Kumllave, Lugi i Krekëzave etj.
Lugi i Laknave ka një gjatësi, përafërsisht, 500m, me një pjerrtësi mesatare, që kalon përmes disa arave (toka të kategorisë së ulët) dhe përmes Fushës së Basilegut derdhet në anën e djathtë të Lumit Morava.
Kur e dëgjojmë këtë toponim, Lugi i Laknave dhe e vështrojmë vendin ku rrjedh ky lug, në pamje të parë na duket abstrakt dhe se nuk ka ndonjë bazë logjike ky emërtim, sepse bëjmë pyetjen, si bëhen lakrat (bot. Blasica), në këto toka kaq të dobëta e aq më pak në një lug malor?!
Mirëpo, nëse mendojmë pak më gjerësisht dhe bëjmë një analizë pak më të thellë duke parë se çfarë bimësh të egra rritën në dy anët e këtij lugu, shohim se aty përveç shumë bimëve të tjera rritet edhe Lakra e egër (Tussilago farfara), që ne ndryshe e quajmë ‘Thundërmushka’.
Emri Thundërmushka është një fjalë e përbëre nga thundër + mushka (mushka, zoo. është një kryqëzim…e cila pastaj më nuk shumohet). E ka marrë këtë emër sepse gjethet e saj i përngjajnë thundrës së mushkës.
Mirëpo, ne pogragjasit, më së shpeshti, këtë bimë e quajmë Lakna e egër, sepse e ka shijen dhe aromën njëjtë me lakrën (Blasica).
Pra, Lugi i laknave, është toponim shumë i vjetër, me bazë bimore, me kuptim të plotë dhe pogragjasit kanë plotësisht, të drejtë që e quajnë kështu – Lugi i Laknave, sepse aty rritet lakna e egër.
Tussilago farfara është një bimë në familjen Asteraceae, që rritet në Evropë dhe në disa pjesë të Azisë Perëndimore dhe Qendrore.
Emri Tussilago rrjedh nga latinishtja, ‘tussis’ që do të thotë kollë, kolla – kollitje dhe ‘lago’ që do të thotë largohem (largon kollën).
Kjo bimë rritet, kryesisht, në lugje, përrenj, buzë brigjeve të lumenjve, në shpate e rrënime të shkaktuara nga erozioni. Pra rritet 10 deri 30 cm lartësi, kryesisht, aty ku ka lagështi.
Ndryshe, është bimë mjekuese dhe shëron sëmundjet e organeve respiratore, veçmas astmën bronciale dhe sëmundjet tjera të organeve të frymëmarrjes.
Për ilaç përdorën edhe lulet edhe gjethet. Lulëzon në pranverë (në muajin mars vjelën lulet e saj), kurse gjethet në muajin qershor kur arrijnë të pajisën me lëngun shërues.
Lulet thahen dhe përdorën si çaj për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme të kombinuara me barna të tjera, kurse gjethet e thata mbështjellën si duhani dhe pihen si duhan. Pra, shërimi bëhet me tymin e saj.
Këtë bimë shëruese në Pogragjë e hasim kudo. Në Prrockë ka me bollëk, sidomos te Rrënimi i Sahitit, fundi i tij është i mbuluar krejtësisht me to, saqë nuk shihet as toka.
E bëmë këtë sqarim për Lakrën e egër (Tussili farfarara), me bindjen se pogragjasit e kanë njohur dhe përdorur këtë bimë shumë herët.
Vet fakti se pogragjasit e kanë emërtuar këtë lug, emrin Lugi i Laknave, vlerësojmë se ata e kanë njohur dhe e kanë përdorur këtë bimë shëruese.
Përfundojmë se toponimi Lugi i Laknave është emërtim me kuptim të plotë.
Në dy anët e këtij lugu rritet Lakna e Egër prandaj edhe quhet Lugi i Laknave, toponim që ruhet edhe sot nga pogragjasit.



