Lumezi: Para një viti nisën hetimet për arrestimin e 8 zyrtarëve policorë

Tetë zyrtarë policorë të Kosovës, dy nga ta femra dhe një i komuniteti serb janë arrestuar në mëngjesin e së premtes e që po ngarkohen me veprat penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të KPRK-së, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike” neni 195 ”, “Ushtrimi i ndikimit” neni 424, si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substance narkotike”.

Gjatë bastisjes në tri lokacione në Prishtinë, në lagjen “Taslixhe”, “Bardhosh” dhe “Stacionin e Policisë së Jugut”, janë konfiskuar nëntë telefon celularë, një veturë dhe dokumente të cilat do të shërbejnë për hetimin e mëtejmë të rastit.

Kështu u bë e ditur në konferencën e përbashkët për medie të Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policorë.

Lumezi tregoi se lidhur me këtë rast hetimet kanë filluar një vit më parë e për çka thekson se gjithë pjesëtarët e krimeve kriminale herët apo vonë do të përballen me drejtësinë dhe se fajtorët nuk do t’iu shmangën përgjegjësisë penale pavarësisht nga cilin institucion vjen.

Në konferencë pati edhe pyetje lidhur me arrestimet për subvencionet në Ministrinë e Bujqësisë, për çka u tha se duhet kohë për hetime deri në marrjen e veprimeve.

Lumezi para gazetarëve tregoi se si erdhi deri të arrestimi i tetë zyrtarëve policorë.

“Edhe një herë kemi vërtetuar se puna e përbashkët e prokurorit të shteti, policisë dhe inspektoratit kanë dërguar porosi të qarta tek të gjithë pjesëtarët e krimeve kriminale se herët a vonë do të përballen me drejtësi, në anën tjetër nuk do të lejojmë asnjë fajtor t’i shmanget përgjegjësisë penale pikërisht nga cili institucion vjen. Mirëpo në anën tjetër do të bëjmë përpjekje për t’i siguruar të gjithë qytetarët nga ndjekja dhe hetimet e paligjshme. Ky rast është duke u hetuar gati një vit respektivisht ka kaluar një vit në bashkëpunim edhe me inspektoratin policorë dhe Policinë e Kosovës i kemi zbatuar masat e fshehtat të hetimit dhe vëzhgimit dhe në bazë të informacione që kemi marrë nga përgjimet kemi ardhur në përfundim që duhet të zgjerohen hetimet edhe për disa persona me qëllim që të vërtetohet përgjegjësia e tyre penale për veprime të cilat i kanë ndërmarrë në mënyrë të kundërligjshme”, tha Lumezi.

Dokumentet dhe raportet, por edhe telefonët që u konfiskuan gjatë bastisjes do të shërbejnë për hetimet e mëtejmë

“Zyrtarë gjatë këtyre bastisjeve kanë konfiskuar 9 telefona mobil, një veturë dhe disa dokumente dhe raporte zyrtare të cilat do të na shërbejnë në procedurat e nevojshëm penale”, tregoi Lumezi.