‘Lumi i gjakut’ irriton banorët e Malishevës së Gjilanit
Një banor i fshatit Malishevë të komunës së Gjilanit ka dërguar pamje të lumit të fshatit i cili ka marrë ngjyrën e kuqe. Ai pretendon se një thertore po i hedh mbetjet në lumë.
Lidhur me rastin, shefja e kabinetit të kryetarit të Gjilanit, Arbenita Sopi, tha për Gazetën Express se inspekcioni ka dal në vendin e ngjarjes dhe raste të kësaj natyre ka pasur gjatë ditës së djeshme edhe në lokacione të tjera.
“Është e njoftuar për rastin drejtoresha e Inspekcionit dhe ka dërgu një ekip në vendin e ngjarjes”, tha Sopi për Express.
Sipas banorit, fotografitë janë realizuar mëngjesin e sotëm.
Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që gjaku i kafshëve të therrura derdhet në lumë. Ankesa të tilla ka pasur më herët edhe nga banorët e Livoçit të Epërm.


