Lutfi Haziri e shpall zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së: Do ta kthej LDK-në si parti e parë

Lutfi Haziri, nënkryetar aktual i LDK-së, e ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së, duke premtuar se do ta kthejë partinë sikur në ditët e saj më të mira.

“Do ta kthej LDK-në si parti të parë në Kosovë”, ka thënë Haziri në selinë e degës në Gjilan, prej ku ai vendosi ta zyrtarizojë kandidaturën e tij.

Haziri tha se paraprakisht ka zhvilluar konsulta me strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, prandaj vendosi t`i jap përgjigje kërkesës së kahmotshme të tyre që t’i prijë partisë, e cila Republikës sonë i dha formë, besim dhe shpresë.

“Jam krenar që për 31 vjet të ecjes sime me besnikëri e lojalitet në rreshtin e madh të Ibrahim Rugovës, të partisë më e vjetër, më të organizuar, më të strukturuar dhe partia e vetme që këtij vendi i dha formë, besim e shpresë se Republika jonë mundet dhe duhet të zhvillohet për t’u bërë e barabartë me të gjithë të tjerat”, ka thënë Haziri.

Ai ka folur edhe për rolin dhe meritat e gjenernatës së re në LDK.

Çdo gjeneratë ka cilësitë e veta, dijen e vet e kulturën e vet dhe mund të japin rezultate. Ne e vlerësojmë shumë gjeneratën e re, por ne, po ashtu, e vlerësojmë përvojën, rezistencën e qëndresën e gjeneratës së vjetër dhe gjeneratës së mesme të LDK’së, e cila, qyshdoqoftë, po e mban sot trajektoren e partisë.

Tre brezat e LDK’së, ai i politikave të rezistencës, brezi i Republikës dhe brezi i Kosovës Europiane, duhet të vazhdojnë të kenë kohezion të plotë. Këto duhet të jenë zgjedhje, jo për t’i larguar të tjerët, por për t’iu ofruar atyre, ku njerëzit nuk eliminojnë, por bashkohen për t’u bërë më shumë, zgjedhje ku respektohet veprimtari, por i hapet dera të riut, zgjedhje ku gratë vendosin e burrat implementojnë, zgjedhje ku të rinjtë kërkojnë dhe burrat e gratë e implementojnë. LDK’së i duhet unitet për ta ruajtur këtë familje të madhe politike e cila është e vetmja shpresë për integrime euro-atlantike.

Të rinjtë duhet të vazhdojnë të shkollohen, ta zgjedhin profesionin në studime për ta përcaktuar suksesin e jetës së tyre. Pra, qëllimi është që të rinjtë dhe të rejat të marrin rol udhëheqës në vendimmarrje.

Në klubin e politikbërjes së quajtur Bashkim Europian, nuk mund të hyjnë zhurmaxhinjtë, ata që bëjnë politika të këqija, ata që kanë problem me ligjin dhe ata që kanë problem me krimin e organizuar.

Po vjen koha për ndryshim dhe ndryshimi ka me ndodhë me rikthimin e madh të LDK’së si parti e parë. Ky rikthim i madh, nënkupton besim tek partnerët, shpresë tek popullata jonë dhe guxim e përgjegjësi për ta zhvilluar vendin tonë.

“Në cilësinë e Kryetarit të LDK’së, jap zotimin tim për vlerësim të drejtë, reformë të bazuar në meritë, konkurrencë dhe hapje për brezin europian të LDK’së. Për fund, i falemi njeriut, i cili këtë Republikë e themeloi si kompromis të dhimbshëm dhe të vetëm në Ballkan për t’i pushuar gjakrat e luftës”, theksoi Haziri.

Lutfi Haziri ka rikujtuar ish-presidentin Rugova si dhe ka falënderuar pasardhësit e tij në krye të partisë.

“I falemi njeriut që në kohën e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, në vend të armëve thirri për paqe. I falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv i planifikuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha, por për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci. I falemi presidentit tonë historik, dr. Ibrahim Rugova”, ka theksuar ndër të tjera Lutfi Haziri.

Lutfi Haziri konsiderohet figura më unike brenda LDK-së, subjekt ky ku ai është rritur dhe është ngritur me merita personale, jashtë grupeve dhe klaneve, gjithmonë brenda frymës dhe parimeve rugoviane dhe është kandidati më i përshtatshëm për ta unifikuar partinë dhe për ta rikthyer atë në vendin ku meriton. /Mediafokus.info