Lutfi Haziri i kundërpërgjigjet Besnik Bislimit për koalicionin me Listën Serbe në Gjilan

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i është kundërpërgjigjur deklaratave të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, lidhur me atë se Haziri në Gjilan ka koalicion me Listën Serbe. Haziri tha se LDK s’ka marrëveshje as me Listën Serbe e as me asnjë parti tjetër.

Haziri e quajti spekulative deklaratën e Bislimit, pasi, sipas tij, zëvendëskryeministri nuk e njeh realitetin politik në Gjilan.

“Në Komunën e Gjilanit është dalë një rezultat befasisht i mirë, në balotazh me kandidatin e Vetëvendosjes. LDK ka partner tradicional, por nuk ka as nuk ka pasë koalicion me asnjë parti, as me Listën Serbe e as me ndonjë parti të minoriteteve tjera. Spekulative me dalë me një qëndrim e aq më pak nga zëvendëskryeministri Bislimi që është me origjinë nga atje që të mos e njeh realitetin politik në terren”, tha Haziri, raporton Express.

Ai para gazetarëve pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, tha poashtu se komuniteti serb në Gjilan është i integruar dhe se të njëjtit nuk dalin për të bllokuar rrugët me kamionë e traktorë.

“Në Gjilan katër vitet e fundit nënkryetar nga komunitetet është nga komuniteti turk, e jo përfaqësues i Listës Serbe. Tendenca me e rikthy rolin e Listës Serbe në Gjilan është vlerësim i rrezikshëm politik, sepse komuniteti serb është komunitet i integruar në institucione dhe nuk nxjerr kamionë dhe traktorë me i blloku rrugët komunale e rajonale dhe është komunitet që është integru me qetësi politike dhe i sheh punët e veta më shumë sesa punët politike”, tha Haziri.