Lutfi Haziri: Kërkimi i zgjedhjeve të reja është arrogancë politike

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se me Lëvizjen Vetëvendosje kanë arritur që të ndërtojnë politika sektoriale të harmonizuara 100 përqind.

“Kjo është bërë në mes të dy rivalëve historik, në dy vitet e fundit, e në dy muajt e fundit kanë hap një kaptinë të re të bashkëpunimit, një marrëveshje e madhe. Dallimet kanë ekzistuar, historiku është i dallueshëm, ideologjia është e dallueshme, duke qenë forca politike që nga opozita marrin mbështetjen qytetare, na ka obliguar ai besim dhe ajo votë që ta hapim kaptinën e bashkëpunimit duke injoruar dallimet dhe rezistencën që kemi pasë”, ka thënë Haziri, njofton Klan Kosova.

Ai ka theksuar se kërkesa për zgjedhje të reja është e gabueshme nga individë prej të dy anëve.

“Ne po negociojmë. Është fazë negociatash. Ne negociojmë për çdo pozitë. Nuk është mirë që të tregohet paaftësi në impelemtim zgjedhjesh. Jemi në fazën e implementimit të zgjedhjeve. Është arrogancë politike kërkimi për zgjedhje të reja. Sovrani nuk mund të vendos sa herë t’i dëshiron të mbash zgjedhje në këtë vend”, theksoi Haziri.

Haziri tha se asnjë qeveri nuk e ka kryer mandatin e rregullt, duke shtuar se ka ardhë koha të vendoset stabilitet.