Lutfi Haziri: Konjufca ia hoqi maskën Kurtit
Pasi kryetari i Kuvendit Gluak Konjufca e pranoi se me mënyrën e pranimit “merre ose lëre” të planit franko-gjerman, kryeministri Albin Kurti kishte pranuar të hiqte dorë nga ingerenca e shtetësisë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një bisedë për Albanian Post thotë se “merre ose lëre” ka ardhur si pasojë e negocimit të dobët të Qeverisë e mos koordinimit me partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Konjufca veç ia ka hequr maskën Kurtit në dialog. Gjithçka që ka ndodhur në tavolinë, në takime bilaterale, trilaterale dhe në ‘gjuajtje’ deklarative prej Prishtinës dhe gjatë vizitave të tij janë fshehur pas një maske. Ai e ka pranuar, e ka marrë dhe sot e ka kusht, jo vetëm Kurti, por edhe Republika e Kosovës. I vetmi mekanizëm që mund të ketë fjalë në këtë rast është mekanizmi i Kurtit i cili duhet të shpjegojë pse dhe në çfarë forme”, tha Haziri për AP.
I dyti i LDK-së ka theksuar se partia e tij e kishte të bërë të qartë edhe më herët se marrëveshja e 27 shkurtit, respektivisht e 17 marsit 2023 në Bruksel dhe Ohër për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është marrëveshja “më e keqe” që Kurti e ka pranuar.
“S’ka pasur konsistencë që e ka premtuar në Kosovë, nuk e ka mbajtur fjalën e tij se ‘në raport me Serbinë, Vuciçin e dialogun, do ta ruajë sovranitetin e kushtetutshmërinë apo siç ka thënë ai, ‘nuk do të lejojë krijimin e monstrumit politik – Republika Serbe e fshehur në Zajednicë”, shtoi ish-zëvendëskryeministri kosovar.
Për këtë shkak të kësaj dakoradance, sipas Hazirit ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, teksa e ka adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti për mos llogaridhënie para deputetëve për procesin e dialogut në Bruksel.
“Asnjëherë nuk ka dhënë llogari në Kuvendin e Republikës, nuk e ka zbardhur para popullit dhe tani për shkak të kësaj marrëveshjeje, e ka dështuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i ka sjellë sanksione Kosovës dhe përfundimisht e ka kushtëzuar gjoja me nënshkrim formal, e cila nuk ka qenë pjesë e parimeve në negociata”.

