Lutfi Haziri: Na mbeti peng e vërteta e shuarjes së 3 anëtarëve të familjes Haliti

Të dielën u varrosën tre anëtarët e familjes Haliti nga Gjilani, Elfete, Afrim e Ferdinaze, të cilët, sipas raporteve të para zyrtare të shtetit shqiptar, vdiqën si pasojë e helmimit me kërpudha, raporton Mediafokus.info.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se mbeti peng e vërteta e shuarjes së tyre.

“Shteti shqiptar e ka për obligim që sa më parë të dal me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës. Për shpirtrat e Elfetes, Afrimit e Ferdinazes, për familjen Haliti, për Gjilanin, për Kosovën, për Shqipërinë”, ka shkruar Haziri në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Postimi i plotë:

Gjilani, Kosova e Shqipëria u tronditën nga tragjedia që ndodhi në Durrës, përkatësisht në Gjirin e Lalëzit, ku tre bashkëqytetarët tanë, Elfete, Afrim e Ferdinaze Haliti, ndërruan jetë papritur. Sot ia dhamë lamtumirën e fundit në Gjilan dhe na mbeti peng e vërteta e shuarjes së tyre.

Shteti shqiptar e ka për obligim që sa më parë të dal me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës. Për shpirtrat e Elfetes, Afrimit e Ferdinazes, për familjen Haliti, për Gjilanin, për Kosovën, për Shqipërinë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Haliti për këtë humbje të madhe. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!