Majko: Serbia nuk po armatoset për gjeuti rosash, Turqinë do ta mbajmë shënim

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, është shprehur për “Euronews Albania” se deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq nuk duhet parë si provokim, por është protokoll i vërtetë i marrëdhënies shqiptaro-serbe, një konflikt i ngrirë.

“Mendoj që nuk duhet parë si provokim apo retorikë, por një fakt që politika serbe po prodhon për rajonin. Aktualisht nuk mendoj se jemi duke parë ndonjë surprizë, por vazhdimësinë e një lloj papërgjegjshmërie, e cila u deklarua më së fundmi. Është protokoll i vërtetë i marrëdhënies shqiptaro-serbe, një konflikt i ngrirë”, u shpreh ministri.

Ai theksoi më tej se Serbia është një nga shtet që po armatoset më shumë në rajon dhe se ky armatim nuk beson se është për gjueti rosash.

“Besoj që cilido e ka parë që Serbia është një nga shtetet që po armatoset në mënyrën më të vrullshme në krahasim me vendet e rajonit. Nuk besoj se ky armatim është për gjueti rosash. Është një politikë që i përgjigjet pikërisht kësaj që më fund u deklarua si protokoll i konfliktit të ngrirë. Mendoj që teknologjia serbe për të krijuar fqinj me status gjysmë shtetëror duke filluar nga Bosnja tek Kosova dhe tani mesa duket do të kapë edhe Malin e Zi”, tha ai.

“Duhet të jemi të sinqertë me veten dhe pastaj me BE-në. Mendoj që konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve është një konflikt i ngrirë. Është një konflikt që menaxhohet nga Moska dhe Vuçiç është thjesht një nënprodukt i kësaj politike”.

Ndërkaq sa i përket lajmit se Turqia po furnizon Serbinë me dronë, Majko ka thënë: “Do ta mbajmë shënim”

Turqia është një nga tre aleatët strategjikë të Shqipërisë, por në datë 6 Tetor në media doli lajmi se Ankaraja do të furnizojë me dronë ushtarak Serbinë. Pandeli Majko, ministri i Diasporës në ABC u shpreh se populli shqiptar do ta mbajë shënim këtë veprim të Turqisë.

“Ne kemi tre marrëdhënie strategjike që kanë të bëjnë me tre fqinjët tanë të rëndësishëm, Turqia ka një distancë, por ne e konsiderojmë distancë goxha të afërt. Kemi të bëjmë me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. Turqia po furnizon me armatim Serbinë, po e dimë, mendoj se secilido e kupton që ne mbajmë shënim.

Në memorien e marrëdhënieve shqiptaro-turke kjo regjistrohet. Kaq. Do të mbetet e shkruar në memorien shqiptaro-turke, nuk thash po e shpallim armike Turqinë” tha ai. I pyetur nëse e shqetëson armatimi i Turqisë, Majko theksoi se “Furnizuesi i parë i Serbisë është Rusia. Në panik nuk duhet të jemi, sikur kanë ata miqtë e tyre, kemi edhe ne miqtë tanë” tha ai.