Maksi i madh bëri një jetë modeste, pa bujë

Nevzat Isufi

Maksut Maloku – Maxi (1953-2020) shkoi në amshim. Iku edhe një sportist e artist gjilanas, një boksier, këngëtar, fotograf – me një fjalë një sportist e artist i mirëfilltë për një kohë të gjatë.

Nganjëherë shikimin duhet kthyer edhe në retrospektiv, te njerëz të caktuar që frymëzojnë gjenerata, motivojnë për sport e art dhe kjo përfshin shtrirjen në pikënisje – fillim që dihet, por që zgjerohet e nuk i shihet fundi.

Ky dimension rrallë analizohet dhe vlerësohet sa duhet. Kam parë me dhjetëra të rinj që prisnin në radhë se donin të bënin fotografi me njërin nga legjendat e boksit gjilanas e të Kosovës, siç ishte Maksi.

Gjashtë herë kampion i Kosovës.

Ai ishte modest, përkundër faktit se me një fizik – trupmadh, pikërisht trupin e një boksieri, dukej se nuk kishte ndërmend asnjëherë që atë dhunti natyrore ta përdorte për t’u “treguar”, përkundrazi, sepse sportistët e vërtetë, sidomos ata të sporteve të shkathtësisë nuk e keqpërdorin, madje ngurrojnë edhe ta përdorin edhe në raste më të domosdoshme jashtë sportit.

Maksi e gjeti veten edhe në artin muzikor, krijoi, grup e bashkëpunëtorë madje në një zhanër të veçantë për mesin dhe kohën. Për një kohë Maksi me aparat fotografik ka bërë punën e fotografit.

Pra, dikur fotografët me objektivin e tyre po e fiksonin sportistin, boksierin-kampionin e Kosovës pastaj këngëtarin, pastaj Maksi po i imitonte ata. Maksi me akrobacion po kalonte nga sporti në artin muzikor, nga arti muzikor në atë të rolit të fotografistit.

Maksi i madh bëri një jetë modeste, pa bujë. Kohëve të fundit, për sa kam njohuri, ka jetuar në Prishtinë.

Megjithatë njerëzit – qytetarët, miqtë e artit-muzikës, sportit, do e kujtojnë me mallë e respekt Maksut Malokun – Maksin, përkundër faktit që institucionet tona – lokale, ashtu edhe ato qendrore, ashtu siç nuk ka ndodhur, do të duhej t’i jepnin vendin e merituar për të gjallë të tij.

Megjithatë mbamendja në popull është më e gjatë dhe më e thellë se sa “amnezia” e përkohshme e institucioneve tona komunale e qendrore të fushës së sportit e kulturës.

Në këtë kohë kur edhe dhimbjet duhet t’i ndajmë nga largësia, ne u shprehim ngushëllime gjithë familjarëve, miqve, sportistëve, artistëve e gjithë qytetarëve.

E Maksi u prehtë në paqe! Ai i la Gjilanit e sportit të Kosovës mjaftë, sa për ta kujtuar gjatë!