Maksimumi për 7 ditë, paratë e trustit i keni në dorë
Aplikimi për tërheqjen e mjeteve prej 10 për qind nga Trusti do të nisë ditën e premte nga ora 15:00, ndërsa pagesat do të bëhen 5-7 ditë pas aplikimit, ka bërë të ditur Jeton Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Transferimi i mjeteve në llogaritë e qytetarëve varet edhe sa merr kohë për të autorizuar nga banka mjetet në llogaritë e qytetarëve, por sipas tij nuk presin që të ketë vonesa.
“Por do të shihet edhe si do të jetë fluksi, sa kontribuues do të aplikojnë njëkohësisht dhe a do të ketë ndonjë detaj teknik që nuk është parashikuar e mund të na shfaqet, por besojmë që përgjegjësish nuk do të kemi vështirësi”, shtoi ai.
Demi, duke shpjeguar për mënyrën e aplikimit për tërheqjen e këtyre mjeteve ka thënë se gjithë procedura do të bëhet online, dhe se nuk do të jetë e komplikuar.
“Tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti do të bëhet vetëm online përmes internetit duke filluar prej datës 11 dhjetor e premte prej orës 15:00. Nuk do të ketë nevojë asnjë prej tyre që të aplikojë fizikisht dhe të vijnë të vizitojnë zyrën e trustit, por përmes pajisjeve të tyre dhe duke e përdorur internetin mund të kryejnë aplikimin”.
“Procedurat janë të thjeshta dhe gjithçka që duhet është numri personal i kontribuuesve që aplikon me llogarinë aktive bankare në Kosovë dhe këto janë dy informacionet me të domosdoshme për aplikim”.
Po ashtu ai ka shtuar se më qëllim të lehtësimit të aplikimit kanë krijuar një ueb faqe të re, ku edhe kanë shmangur të gjitha vështirësitë që janë kanë në uebfaqen e vjetër, shkruan ekoniomia online.
Demi shtoi se kanë përgatitur një uebfaqe të re (www. trusti10.org), përmes së cilës mund të aplikohet dhe të menaxhohet situata dhe shmangur të gjitha vështirësitë.
Sipas tij, ligji parasheh që kontribuuesit të kenë 4 muaj që të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqindëshit nga trustit që i bie deri me datën 6 prill 2021.
Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i cili mundëson tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 4 dhjetor. Ky ligj po ashtu parasheh ribursim të mjeteve të tërhequra nga Qeveria për të gjitha atë që kanë kursime deri në 10 mijë euro.

