Mali i Zi e dëbon ambasadorin serb, akuzohet për ndërhyrje në punët e brendshme

Pas zgjedhjeve të fundit në Mal të Zi, ku pushtetin e humbi partia e presidentit Milo Gjukanoviq, marrëdhëniet me Serbinë kanë shkuar duke u acaruar vazhdimisht.

Me akuzën për ndërhyrje në punët e brendshme, qeveria në ikje e Malit të Zi ka dëbuar nga vendi ambasadorin serb. E irrituar, Serbia ka reaguar me masë reciproke, duke i dhënë 72 orë kohë për t’u larguar ambasadorit malazez në Beograd.

Politikani shqiptar në Mal të Zi, Mehmet Zenka, duke folur në Euronews Albania theksoi se Podgorica zyrtare ka qenë e detyruar të ndërmarrë një akt të tillë pasi ambasadori serb ka vepruar jashtë kompetencave diplomatike.

“Kjo është një masë, e cila i është imponuar Malit të Zi pasi ambasadori serb, i cili ishte në detyrë në Podgoricë, i ka kryer të gjitha rolet, por vetëm rolin e ambasadorit nuk e ka patur”, tha ai.A

Politikani shqiptar u shpreh gjithashtu se Serbia ka ndërhyrë në punët e brendshme të Malit të Zi dhe këtë e ka bërë përmes kishës ortodokse në Podgoricë.