Marrëveshja e Kumanovës, 25 vjet nga kapitullimi i Millosheviçit në Kosovë
Sot bëhen 25 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike në Kumanovë, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, pas dorëzimit të ish-ushtrisë së Jugosllavisë dhe kapitullimit të kriminelit serb, Sllobodan Millosheviç.
Me këtë marrëveshje, Serbia u detyrua të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.
Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, më vonë në FSK e tani në Ushtri të Kosovës.
Rezoluta mbetet në fuqi ende, ndonëse misioni civil ndërkombëtar (UNMIK) është reduktuar shumë dhe konsiderohet i panevojshëm për më tej.

