Martin Berishaj propozohet për ambasador të Kosovës në Kroaci
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka propozuar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Martin Berishaj, për ambasador të Kosovës në Kroaci, shkruan Gazeta Insajderi.
Martin Berishaj është profesor i shkencave politike dhe mardhënieve ndërkombëtare në disa programe dhe module të arsimit të lartë në Slloveni dhe jashtë saj (Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Hungari, Itali).
Aktualisht, Berishaj është shef i Institutit për Studime Shqiptare në Slloveni si dhe anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Berishaj kishte qenë pjesë e komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi të krijuar nga Ramush Haradinaj, teksa sugjeronte që si zgjidhje të përdorej precedenti Gjirit të Piranit, ku Sllovenia dhe Kroacia kishte dërguar çështjen në Arbitrazh Ndërkombëtar.
Duke qenë anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj ishte pjesë e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit nën moton “Krejt dhe Drejt”, teksa Kurtin, liderin e LVV e cilësonte si “proces”.
Martin Berishaj përfundoi shkollën fillore dhe të mesme në Tuz të Malit të Zi, e pastaj aplikoi për studime në Fakultetin e Shkencave Sociale në Lubjanë, Slloveni, ku mbaroi studimet me nderime në vitin 1984.
Në Fakultetin e Arteve në Lubjanë mori titullin Master dhe Doktor, teksa së bashku me disertacionin e doktoratës botoi librin e titulluar »Skrita moč Bese« (përkthim Fuqia e fshehur e Besës). Deri më tani ka botuar pesë monografi dhe shumë artikuj ekspertësh.
Lëvizja Vetëvendosje nuk është angazhimi i parë partiak i Berishaj, duke qenë se ishte kryetar i partisë së parë politike shqiptare në Slloveni – »Demokratična Zveza Kosova« (përkthim Bashkimi Demokratik i Kosovës) që gjithashtu mori pjesë në zgjedhjet parlamentare sllovene në vitin 1990.

