Masat antiCOVID që pritet të miratohen sot nga Qeveria

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje në një konferencë për media ka prezantuar masat e reja antiCOVID, të cilat pritet të votohen sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Vitia bëri të ditur se me masat e reja, personat e pavaksinuar nuk do të lejohen që të hynë në qendra tregtare, call center, në ambientet e brendshme të kafeneve dhe restoranteve.

Ata të cilët duan të futen brenda këtyre hapësirave, duhet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin negativ.

Po ashtu, i pari i Shëndetësisë bëri të ditur se punëtorët e sektorit publik ose privat të cilët kanë punë me palë, duhet të prezantojnë po ashtu certifikatën e vaksinimit ose testin negativ PCR, në mënyrë që të lejohen të hynë brenda ambientit të tyre të punës.

Nga e hëna, Vitia bëri të ditur se do të hapen çerdhet dhe shkollat. Maksimumi i nxënësve që do të lejohet në klasa do të jetë 20.

Aktivitetet sportive në salla të mbyllura do të mund t’i ndjekin vetëm 10 për qind e kapaciteteve të sallave.

Ndërkaq në ambientet e hapura do të lejohet shfrytëzimi i 30 për qind të hapësirës së shikuesve.

Lokalet e gastronomisë do të vazhdojnë të punojnë me të njëjtin orar, deri në orën 21:30, por që do të hapen hapësirat brenda lokaleve, por aty do të lejohen vetëm personat me dëshmi të vaksinës apo testeve përkatëse

Ora policore nga 22:00 deri në orën 05:00 do të vazhdojë të mbetet në fuqi.