Masat e jashtëzakonshme pas masave të domosdoshme!
NIJAZI IDRIZI
Presidenti Thaçi, nuk po mund te shkeputet nga mendësia serbe e pushtetarit. Ai po kërkon gjendje te jashtëzakonshme (masa të dhunshme)!
Ai do që ta marr primatin bashkë me partnerin e tij presidentit serb Vuqiq, i cili e ka vendosur këtë masë në Serbi.
Ky njeri nuk është i vetëdijshëm se masat e tilla janë akte të domosdoshme renduese për jetën e qytetarëve për te cilën të keqe duhet të pajtohemi të gjithë.
Gjendja e jashtëzakonshme diktohet vetvetiu, si mjet i fundit, kur nuk ka rrugë tjera.
Te ne nuk janë shtjerr ende edhe shumë masa të domosdoshme të cilat patjetër që do të japin rezultate të caktuara.
Ende nuk është trajtuar regjistri i udhëtarëve që janë futur në kufirin tonë, nga koha e paraqitjes së virusit.
Aktualisht vetëm shtatë shtete kanë vendosur masa të jashtëzakonshme, nga njëqind e katërdhjetë shtete që janë përfshirë nga ky virus.
Po të ishin të mira masat e tilla, atëherë numri i shteteve pa masa të jashtëzakonshme do të ishte shumë i vogël.
Deri tani, për fat të mirë, nuk e kemi asnjë viktimë dhe asnjë të sëmur rënd. Edhe te fqinjët tanë, ka pak të sëmurë dhe pak viktima.
Te ne ka nevojë për disa masa shtesë shumë rutinë për ta menaxhuar stresin dhe për ta evituar grumbullimin e njerëzve.
Këto ditë, turma njerëzish po vrapojnë pas miellit si në kohë lufte.
Ende nuk janë aplikuar metoda efikase për krijimin e mundësive për furnizimin e bollshëm të qytetarëve të shqetësuar, të cilët nga frika e mungesës së ushqimeve në treg, iu janë dorëzuar tregtarëve matrapazë të cilët me ngritjen e çmimeve po e ngritin edhe panikun, për ti rritur fitimet.
Shteti duhet ta këput hallkën e profiterëve dhe ta ofroj qytetarin drejtpërdrejt te mielli, buka…
Me urgjencë duhet të ndërmirren fushata të besueshme vetedijesimi të qytetarëve, për rezerva të bollshme të ushqimeve në vend dhe për rrjedhën e përditshme të furnizimeve nga jashtë.
Në këtë gjendje që jemi vendosja e masave të jashtëzakonshme nuk zgjidhë problem, por përveç mbushjes së spitaleve, do ti mbush edhe burgjet!

