Masat e reja të pandemisë, pikë për pikë
Qeveria e Kosovës miratoi të premten masat e reja kundër pandemisë të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia tha se duke filluar nga kjo datë vazhdon procesi mësimor në objektet shkollore. Sipas tij, në nivelin parauniversitar parakusht për prezencë fizike në klasa është që të pranishëm të jenë jo më shumë se 20 nxënës.
Ai tha se detajet e zbatimit të këtyre masave do të bëhen publike përmes udhëzuesve të veçantë të cilat do t’i publikojë Ministria e Shëndetësisë.
Që nga dita e hënë, klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë: certifikatën e vaksinimit ose testet për COVID-19 në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në lokale.
Edhe klientët dhe stafi në qendra tregtare duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë e cekura më lartë.
Këto dëshmi vlejnë edhe në institicuone publike dhe private që kanë punë me palë, përfshirë punonjësit e marketeve, bankave dhe floktarët.
Këto masa do të vlejnë dy javë, dhe sipas ministrit Vitia, nuk përjashtohet mundësia që të merren masa të reja kufizimi apo lehtësuese varësisht nga situata epidemiologjike.
Më poshtë gjeni të gjitha masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19:
A. [Zbatimi territorial]
1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]
2. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19;
2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
3. Nga data 13 tetor 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit të plotë apo ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.2 deri
2.4.
4. Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.
5. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:
5.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;
5.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19;
5.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
5.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;
5.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;
5.6 Personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare.
C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]
6. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.
7. Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4
8. Nga data 13 tetor 2021, punonjësit/personeli sipas pikës 6, duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë apo ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.2 deri 2.4.
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
9. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
10. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.
11. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
12. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:
12.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;
12.2 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;
12.3 Gjatë ngrënies apo pijes.
13. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
14. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 13.
D. [Kufizimi i qarkullimit]
15. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:
15.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);
15.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;
15.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
15.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit;
15.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas pikës 17, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.
16. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 15 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.
17. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.
Dh. [Institucionet e arsimit]
18. Procesi mësimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor vazhdon në mënyrë të rregullt.
19. Procesi mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar zhvillohet sipas skenarëve përkatës të përcaktuar në udhëzuesin për institucionet e arsimit, mirëpo parakusht për mësimin me prani fizike është prania e jo më shumë se 20 nxënësve për klasë. Nëse në një klasë janë më shumë se 20 nxënës, mund të punohet me skenarin A (me klasë të përgjysmuar) ose me skenarin B (mësim i kombinuar, ku një pjesë e nxënësve e ndjekin mësimin në distancë. Përzgjedhja e nxënësve që do ndjekin mësimin në distancë (online) bëhet me rotacion çdo javë.
20. Procesi mësimor në institucionet publike dhe private universitare zhvillohet sipas udhëzuesit përkatës, me kusht që numri i personave të lejuar në një klasë mundëson në mënyrë rigoroze mbajtjen e distancës prej 1.5 metra në mes të personave.
21. Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
22. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4., në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
23. Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, duke përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
24. Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni sipas pikës 18, 19 dhe 20, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës
nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
25. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
26. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse..
F. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
27. Përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë vendim, lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në njëzet (20) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime apo grumbullime tjera). Obligohet që pjesëmarrësit të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në këto ambiente, si dhe organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave dhe kontrollimin e dëshmive përkatëse.
27.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca fizike prej 1.5 metrash në mes të personave.
28. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë leje të veçantë, që tejkalon numrin prej njëzet (20) persona, për ngjarje të rëndësisë së veçantë në funksion të interesit publik.
29. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë (50) persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
30. Pavarësisht pikës 27 dhe 29, për koncerte dhe festivale vlen pika 33.
31. Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë ndalohet.
32. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri.
G. [Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]
33. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gj. [Gastronomia]
34. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.
35. Nga data 27 shtator 2021, klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve.
36. Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1
deri 2.4.
37. Nga data 27 shator 2021, lejohet shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
38. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.


 
 
						 
						