Mashtrohet gjakovarja, ia dërgon rreth 10 mijë euro ‘pronarit’ të banesës

Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues.

Pre e një mashtrimi të tillë kanë rënë edhe një grua nga Gjakova, e cila ka paguar mijëra euro për “blerjen e një banese”.

Gjithçka nisi nga Facebook-u, por si rasti përfundoi në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima është një 57-vjeçare, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi raportoi se ia ka paguar rreth 10 mijë euro një personi, me të cilin ishte njoftuar në rrjetin social “Facebook”.

I dyshuari, sipas dëshmisë së viktimës, kishte kontaktuar me të duke u paraqitur si shitës i komplekseve të ndryshme banesore dhe ka arritur ta mashtrojë, me premtime të rrejshme. Sinjali mëson se nga deklarata e gruas është kuptuar se i ajo ia ka dërguar paratë në disa pjesë, në periudha të ndryshme.

Plani i të dyshuarit për t’i marrë të hollat i funksionoi, pasi e lidhi rastin me një ‘sëmundje’. Viktima ka deklaruar se i njëjti i ka kërkuar para me arsyetimin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, e të cilat do të ia kthente kur t’ia shiste një banesë.

Paratë që i dha me shpresën se do t’i kthente i dyshuari sërish e bënë qyl viktimën. ‘Shoku’ i Facebook-ut nuk u bë më i gjallë, çka e shtyri 57-vjeçaren të dyshojë, me ç’rast e denoncoi rastin.

Sinjali mëson se pas dhënies së deklaratës së viktimës dhe mbledhjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrimi”, derisa të zbulohen detajet të tjera dhe të zbardhen në plotni rrethanat e rastit./Sinjali/