Mbi 26 mijë qytetarë marrin vaksinat antiCOVID në Kosovë
Më 29 mars Kosova ka nisur vaksinimin e qytetarëve me vaksinat antiCOVID, ku fillimisht janë vaksinuar profesionistët shëndetësor, grup-mosha mbi 85 vjeç dhe personat që kanë sëmundje kronike.
24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, Kosova kishte pranuar më 28 mars por që më pas vendi ynë mbeti pa vaksina antiCOVID për disa javë.
Javën që lamë pas në Kosovë arritën edhe 4680 dozat e para të vaksinës anti-COVID të llojit Pfizer. Këto vaksina janë pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian do t’i sjellë në Kosovë.
E, deri tani numri i qytetarëve që kanë marrë vaksinat antiCOVID ka arritur mbi 26 mijë. Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga Ministria e Shëndetësisë.
“Janë vaksinuar rreth mbi 26 000 qytetarë. Ministria e Shëndetësisë pret që vaksinat e radhës të arrijnë, brenda disa ditësh, gjithsesi në këtë muaj”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.
Ndryshe, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë më parë konfirmoi se kontingjenti i radhës i vaksinave kundër COVID-19 do të vijë brenda disa ditësh.
Ai theksoi se numri i këtyre vaksinave që do të vijnë do të jetë më i madh se i dy kontingjenteve të para bashkë.
“Është çështje ditësh kur do të vijë kontingjenti i vaksinave, ku numri i të cilave do të jetë më i madh se i këtyre dy kontingjenteve bashkë. Ndërkaq nga fundit i maji ose fillimi i qershorit do të marrim shumëfishin e këtyre”, ka pohuar Kurti.

