Mbi 40 mijë faqe material kundër ish-krerëve të UÇK-së

Me qëllim të konfirmimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar në Hagë është mbeshtetur tek 153 dëshmitarë dhe synon që përsëri të mbështetet në shumicën e tyre gjatë gjykimit.

Prokuroria, po ashtu thotë se materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, ka pasur mbi 40 mijë faqe.

Pranë Dhomave e Specializuara në Hagë të mërkurën do të mbahet konferenca statusore në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimit.

Kundër tyre është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes e thirrë gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve midis palëve. Në këtë konferencë pritet që prokuroria të tregoj se me çfarë lloji të provave disponon.

Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara për këtë konferencë, e të publikuar në faqën e tyre të internetit, prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizuel.

Prokuroria thotë se mbrojtjes parashikon t’i dorëzojë provat siç janë raportet, fotografitë, dokumentet e UÇK-së, duke përfshirë urdhërat, rregulloret etj.