Mbi 5.5 milionë euro do të kushtojnë zgjedhjet e parakohshme
Partitë politike mund të aplikojnë për çertifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga nesër deri më 16 janar, ndërsa çertifikimi i tyre nga ky institucion do të përfundojë më 22 janar.
Gjatë kësaj periudhe do të shqyrtohen listat me kandidatë të cilat do të dërgohen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, AKI e institucione të tjera për verifikim.
Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të KQZ-së në të cilën u bë e ditur se buxheti për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë 5 milionë e 650 mijë euro.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se mjetet të cilat nuk do të shpenzohen do të kthehen prapa pas zgjedhjeve.
“Projeksion i buxhetit është 5 milionë e 650 mijë, kjo do të kërkohet që nga dita e nesërme nga Qeveria që të bëhet alokimi që të mund t’i fillojmë procedurat, ky është totali i buxhetit të projektuar, është projeksion që nuk do të thotë se i tërë ky buxhet do të harxhohet, si zakonisht KQZ gjithmonë i kthen pjesën e mbetur të parave pas përfundimit të zgjedhjeve”, tha ajo.
Ajo ka bërë të ditur se fushata zgjedhore do të fillojë më 3 shkurt dhe do të zgjasë dhjetë ditë.

