Mbi 86 mijë pensionistë janë të detyruar të punojnë akoma, nuk ia dalin me pensionet që marrin

Lumturia është një prej shumë pensionistëve që nuk heq dorë nga puna. Prej 27 vitesh ajo vazhdon të punojë si shitëse. Paratë që merr nga pensioni nuk i dalin, ndaj detyrohet që çdo mëngjes të çohet herët për të nxjerr fruta-perime në treg.

“Nuk më del pensioni, dalim punojmë së ta kemi mundësi. Është jetesa e shtrenjtë.”, shprehet ajo.

Në të njejtat kushte thonë se janë edhe pensionistët e tjerë. Kujdesi për shëndetin në këtë moshë është i kushtueshëm, ndaj përpiqen çdo ditë e më shumë.

Vështirësi për t’u mbështetur kanë edhe të fëmijët, ndaj e kanë të pamundur të jetojnë vetëm me pension. Thonë se do të punojnë sa të kenë jetën, duke parë gjendjen e vështirë ekonomike të vit pas viti.

Sipas të dhënave të INSTAT numri i personave mbi 64 vjeç që janë raportuar në punë arriti në mbi 86 mijë në tremujorin e parë të vitit 2021 me një rritje 30 % në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po në tremujorin e parë të vitit 2021 forca e punës në grup-moshën 15-29 vjeç shënoi një rënie me 7.7% më pak.