Mbretëria e Bashkuar fillon me dozë përforcuese të vaksinës për personat mbi 50 vjeç
Qeveria britanike njoftoi të martën se një dozë përforcuese e vaksinës Covid-19 do të filloj javën e ardhshme për njerëzit mbi 50 vjeç dhe profesionistët shëndetsor.
Vendi shpreson të shmangë mbylljen e mëtejshme këtë dimër. Njerëzit e moshës 16 deri në 49 vjeç me probleme shëndetësore që i bëjnë ata veçanërisht të prekshëm ndaj Covid-19 dhe të rriturit në kontakt me njerëz me imunitet të komprometuar janë gjithashtu në shënjestër të këtij programi përforcues.
Qeveria sapo ka hequr dorë nga vendosja e një pasaporte vaksinimi për hyrjen në klube nate, siç ishte parashikuar, pa e përjashtuar atë “plotësisht”, tha Kryeministri Boris Johnson, duke paraqitur në shtyp planin e tij për të luftuar kundër Covid -19 këtë dimër.
Në rast të një përkeqësimi të pandemisë, qeveria gjithashtu rezervon të drejtën të rivendosë disa masa të tilla si kërkimi i mbajtjes së maskave në ambiente të mbyllura ose rekomandimi i punës në distancë.
Injeksioni duhet të bëhet të paktën gjashtë muaj pas administrimit të dozës së dytë, intervali më i rëndësishëm për sa i përket efektivitetit të vaksinës.
Mund të bëhet në të njëjtën kohë me vaksinën kundër gripit, tha June Raine, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Rregullatore të Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) në një konferencë shtypi.

