Mbushen spitalet, edhe ambulancat specialistike kthehen në qendra për pacientë

Shërbimi Spitalor dhe Kllinik Universitar i Kosovës njofton se për shkak të rritjes së numrit të të spitalizuarve me COVID-19, në klinikat e QKUK-së, nga data 31 gusht, pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në QKUK.

Hapësirat e ambulancave specialistike do të shërbejnë për spitalizim të pacientëve me COVID-19.

“Apelojmë te qytetarët e Republikës së Kosovës që në QKUK dhe në spitalet rajonale, të drejtohen vetëm për rastet urgjente.

ShSKUK kërkon falje dhe mirëkuptim nga pacientët duke iu siguruar se menaxhmenti i ShSKUK-së është duke bërë të pamundurën për t’iu ofruar shërbimin shëndetësor të gjithë pcientëve në nevojë”, thuhet tutje në njoftim.

Në të njëjtën kohë ShKUK apelon qytetarët që të vaksionohen dhe t’i respektojnë masat anti-Covid.

Qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese, me qëllim të kontrollit dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19, pasi situata është përkeqësuar.

Vetëm dje u regjistruan 36 vdekje, derisa numri i rasteve aktive ka shkuar mbi 26 mijë.