Mbyllet autoshkolla më e vjetër në Gjilan, s’e përballon konkurrencën e pandershme
Konkurrenca e pandershme si dhe deformimet në sistemin e dhënies së provimeve për shoferë, kanë detyruar autoshkollën e parë private në Gjilan që ta mbyllë veprimtarinë.
‘Pas një periudhe të punës mbi 32 vjeçare, për arsye të një konkurrence jo-lojale që dominon me vite të tëra në veprimtarinë biznesore të auto shkollave dhe deformimeve të mëdha në sistemin e dhënies së provimeve për shoferë, pronari i auto shkollës “Aga Cufë” në Gjilan, merr vendim për ndërprerjen e veprimtarisë në kohë të pacaktuar, me përfundimin e vitit 2022’, thuhet në njoftim.
Në të vërtetë, disa autoshkolla në Gjilan, viteve të fundit kanë zhvilluar konkurrencë të pandershme, duke ofruar çmime simbolike për regjistrimin e kandidatëve, gjë që kanë dëmtuar autoshkollat tjera.
Për këto shkaqe, viteve të fundit, në Gjilan janë mbyllur edhe autoshkolla të tjera, të cilat kanë funksionuar si biznese nga paslufta e këndej.
Po ashtu, edhe Ministria ka bërë ndryshime në licencimin e instruktorëve-ligjërues, përfshirë edhe ri-licencimin, me çka e ka vështirësuar punën e autoshkollave. /Mediafokus.info


