Mbyllet sondazhi i madh për finalen e BBVK, ky banor fiton bindshëm
Është mbyllur zyrtarisht sondazhi i hapur nga Telegrafi për pesë finalistët e programit Big Brother VIP Kosova. Me pyetjen se “Kush mendoni se do ta fitojë Big Brother VIP Kosova?”, lexuesit patën mundësinë që të votojnë për banorin e tyre të preferuar.
Në sondazhin ku ka pasur mbi 40 mijë votues, i pari me rezultatin më të lartë del aktori i humorit, Vedat Bajrami, me 40 për qind të votave. Në vend të dytë vjen aktori Artan Thaqi (djali i humoristit Rasim Thaqi – Cima) me 20 për qind, pasuar nga modelja Juliana Nura me 18 për qind të votave.
Më pak të votuarit janë reperi Stresi në vendin e katërt me 18 për qind të votuesve, gjersa e fundit në renditje rezulton të jetë këngëtarja Mbresa me vetëm pesë për qind të votave. Finalja e madhe e Big Brother VIP Kosova do të zhvillohet sonte (e premte), pas më shumë se 100 ditë qëndrimi të banorëve finalistë brenda shtëpisë. Fituesi do të marrë shpërblimin e madh prej 200 mijë eurosh.

