Me “Flakën…” nëpër vite

Retro/“Flaka e Janarit” nisi rrugëtimin e saj më 18 janar 1992, për t’i përkujtuar përmes artit pamor, skenik, letrar e muzikor të gjithë ata bij e ato bija që e nderuan këtë Dhe të Shqipeve, me gjënë më të shtrenjtë të tyre që e ka kjo botë e dukshme dhe e prekshme: JETËN, duke gjakuar lirinë, pavarësinë dhe gjithçka tjetër që është e mirë e që i duhet vendit të lindjes, të jetës e të vdekjes – ATDHEUT.

Këtë nderim e përkushtim të pashembullt në këto troje të Ballkanit e më gjerë, që për të njëzetenëntën herë po e jetëson komuna e Gjilanit, është dëshmi, është dhunti, është gjallni e është edhe dashni ndaj gjithë atyre martirëve, dëshmorëve, heronjve e figurave të shquara që dha kombi ynë, për këto ditë të lira, të mira, të paqta e të jetueshme, të cilat po i gëzojmë falë atij gjakimi e atij flijimi.

Gjëja më e vockël që kemi mund ta bëjmë për gjakun dhe shpirtin e tyre që sot e gjithë bën dritë, ka qenë dhe është ky Manifestim, i cili nga viti në vit mori epitetin e një veprimtarie kombëtare kulturore edhe atë me të drejtë, sepse u shtri e u mbajt e po mbahet, thuaja kudo ku jetojnë, veprojnë e frymojnë shqiptarët, këtu në trevat tona po edhe nëpër botë.

Natyrisht, edhe kur ishte themeluar ky Manifestim nga Shoqata e Pavarur Kulturore e Gjilanit dhe Forumi i Rinisë i degës së LDK të Gjilanit, ishte menduar të jetë i tillë, përtej kufijve lokalë, me synimin që në një të ardhme të afërt, ta gëzojë këtë epitet që e ka sot, Manifestim Kombëtar i Kulturës, duke i grishur, mbledhur e mirëpritur, velrat më të arrira artistike të një viti nga e gjithë hapësira shqiptare dhe atje ku jetojnë shqiptarët, pikërisht në vendin ku edhe u LIND, në Gjilan.

“Flaka e Janarit” u ideua, u projektua dhe e nisi rrugëtimin e saj, pikërisht në shënimin e dhjetëvjetorit të vrasjes tinzare të atdhetarëve tanë, shkrimtarit Jusuf Gërvalla, bashkëvendasit tonë, Kadri Zekës si dhe të vëllait të Jusufit, Bardhoshit, që pat ndodhur po më 17 janar 1982, në Shtutgart të Gjermanisë, pikërisht në ditëvdekejen e kryetrimit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.

Kjo koincidencë do të ndikojë që, me rastin e shënimit të 530-vjetorit të kësaj vdekjeje, në vitin 1998, “Flaka e Janarit” të nis zyrtarisht, gjithnjë me këtë datë.

Organizatorë të kësaj veprimtarie ishin pikërisht ato dy subjekte që edhe e themeluan “Flakën e Janarit”, bashkë me gjithë ata që e begatuan me kontributet e tyre, për vite e vite, e që u mbështetën nga institucionet e përkohshme komunale e ato qendrore të Kosovës së asaj kohe po dhe donatorë gjilanas e të tjerë jashtë Gjilanit.

Është mirë të thuhet se “Flaka e Janarit”, u themelua në një insitucion publik arsimor e kulturor, Shkollën e Muzikës, që ndodhet afër qendrës së qytetit dhe themeluesit e saj ishin subjekte legale, kulturore e politike, që merreshin me veprimtari kulturore e rinore dhe angazhoheshin për liri, pavarësi e demokraci, natyrisht, nga fushat të cilave iu përkisnin dhe me mjetet e me dijet e vullnetet e tyre të pakursyeshme.

Vlen të përmendet gjithashtu se në aktin e themelimit të Manifestimit “Flaka e Janarit” ishin edhe dy shkrimtarë, të cilët ka kohë që kanë shkuar në amshim, Beqir Musliu e Haxhi Vokshi, po edhe heroina Hanumshahe Abdullahu – Zymberi, të cilët, deri në frymën e tyre të fundit, nuk u shkëputën nga “Flaka e Janarit” dhe nga angazhimet për më të mirën e këtij vendi.

“Flaka e Janarit” u ngrit mbi katër shtyllat apo katër llojet e krijimtarisë artistike që e kishin formësuar profilin krijues e artistik të Jusuf Gërvallës, shtylla këto që i kemi dhe sot e vazhdimisht përpiqemi për t’i ngritur në cilësi dhe në vlera të mirëfillta artistike, përmes një fryme të lirë dhe të hapur garimi.

Në shembullin e madh të unifikimit të veprimeve atdhetare të kësaj tresheje shqiptare që veproi në të mirë të Kosovës nga mërgimi, Manifestimi i shumëllojshëm kulturor “Flaka e Janarit” luajti rol unifikues në raport me afrinë ndaj njëri-tjetrit, në arritjen e qëllimeve të synuara për liri e bashkim kombëtar që ishte, është dhe do të mbetet amanet për breza e breza shqiptarësh.

U pagëzua me këtë emër që e ka edhe sot, pas një debati shumë të shnoshë në Shkollën e Muzikës. Nga propozimi fillestar, që ishte imi, SHKËNDIJAT E JANARIT, rodhi propozimi i dytë, DITËT E MARTIRËVE e që ishte propozim i Beqir Musliut.

Një ndërhyrje shumë qëllimmirë e Ahmet Isufit, se “nëse na duken të vogla këto shkëndija, i kthejmë në flakë”, rrjedhimisht përcaktuan emërtimin FLAKË JANARI, emërtim metaforik që sot e identifikon Gjilanin me të, kudo që përmendet apo ndodh të mbahet ndonjë veprimtari përkushtuese për më të dashurit tanë, meqë KËTU ky manifestim i lëshoi rrënjët, KËTU nëpër vite rriti shtatin, shtriu degët dhe frytet krijuese i shpërfaqë po në këtë kohë, duke e kthyer qytetin tonë në një Olimp kulturor nderues e përkushtues për martirët, dëshmorët, heronjtë dhe figurat e shquara të kombit.

“Flaka e Janarit” vetvetiu u bë edhe metaforë jona e gjakimit për liri, pavarësi, demokraci e bashkim kombëtar. Nga fillimi e këndej, u shpërfaq botërisht, sepse nuk kish se si të fshihej në një kohë që ishte e errët për ne. Ishte përnjëmend FLAKË dhe duhej ta digjte atë terr robërimi gati shekullor që ndrydhte gjysmën e një etnie, e cila padrejtësisht ishte ndarë e copëtuar në sa e sa pjesë, pas luftës së parë botërore dhe ishte masakruar nëpër luftërat ballkanike.

“Flaka e Janarit”, nga edicioni i parë që ndodhi më 18 janar 1992 në Bresalc, për të vazhduar në Gjilan e Përlepnicë, në tetë edicionet e paraluftës, ka nisur dhe është mbyllur me tog-fjalëshin, “mirupafshim vitin tjetër në Republikën e Kosovës së lirë, të pavarur e sovrane”.

Pikërisht, tetë edicionet e para të Manifestimit “Flaka e Janarit’ që u mbajtën nën pushtimin e egër serb, jo vetëm që i dhanë fizionomi këtij manifestimi, por edhe e sforcuan synimin tonë për liri, por ishin edhe përcaktuese të jetëgjatësisë së tij, shkaku i misonit që mori dhe i doli zot, nderimin e martirëve, dëshmorëve e heronjve të kombit përmes vlerave më të arrira të artit.

“Flaka e Janarit” u bë atë kohë frymëzim për moshën e re po, edhe kurajo, për një moshë të shtyrë të popullatës sonë se, do të arrijmë në jetësimin e qëllimit për ku ishim nisur dhe udhëtonim me dekada.

Ndërsa sot, është kthyer në përkushtim krijues e afirmues të vlerave kulturore kombëtare, përmes të cilave nderohet dhe jetësohet amaneti i flijimtarëve të kombit për një atdhe që njerëzit e vet i mbledh në një sofër të përbashkët.

Nëse i shikojmë në përmbajtje dhe në shpërfaqjen e po kësaj përmbajtjeje, edicioni i gjashtë dhe shtatë i “Flakës …”, pa fije dyshimi, ishin edicionet më të realizuara të paraluftës.

Ndërsa, edicionin e tetë e rrudhi në pjesë të madhe lufta dhe masakrimet serbe ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare, por fatmirësisht nuk arriti për ta shuar “Flakën …” tonë, që ishte thjesht, flakë e luftës për liri.

Ngulmimin tonë, më në fund e përfilli Zoti dhe miqtë tanë të cilët ndihmuan dhe u bënë krah i fortë i çlirimit të Kosovës.

Nga viti 2000 e këndej, të gjitha edicionet e Manifestimit Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit”, janë mbajtur në liri dhe në kushte shumë më të mira, përkundër disa vështirësive dhe mangësive të shfaqura në organizim dhe në përzgjedhjen e përmbajtjes së këtij Manifestitmi, të cilat në një mënyrë ishin edhe të pritshme.

“Flaka e Janarit” u zhvendos nga trekëndëshi Bresalc – Gjilan – Përlepnicë dhe u vendos aty ku e ka vendin, nën kupolën e institucioneve komunale, duke pritur që të mbështetet shumë më shumë se deri tash, edhe nga vetë institucionet qendrore, sidomos ato të kulturës, po edhe nga vetë Presidenca e Kosovës që, në bazë të Kushtetutës, do duhej ta luaj rolin unifikues të popullit, të cilin rol e ka luajtur dhe demonstruar ky Manifestim në të gjitha edicionet e deritashme.

Në edicionet e pasluftës, “Flaka e Janarit” u hap më shumë dhe u përafrua edhe me krijuesit e artistët shqiptarë të Maqedonisë e të Shqipërisë, pa i harruar dhe ata të Malit të Zi e të Kosovës Lindore, qoftë përmes artit pamor, atij letrar po edhe skenik e muzikor.

Gjilani, tashmë si qendër e Kosovës Lindore, që është dëshmuar në ditë më të vështira, besoj se mundet dhe do t’ia arrijë që në 30-vjetorin e “Flakës…” ta arrijë këtë nivel të organizimit, përkundër barrës e, përkundër çmimit. /Mediafokus/