Me koncertin ‘Mish Mish’ përmbyllen aktivitetet për mërgimtarë në Gjilan

Me koncertin ‘Mish Mish’ përmbyllen sonte aktivitetet për mërgimtarë në Gjilan. Koncerti mbahet në sheshin “Agim Ramadani”, nga ora 18:00, në përputhje me masat anti–covid.

Përndryshe, komuna e Gjilanit ka organizuar takime të shumta, aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, sportive, rekreative, tradicionale e deri te pritjet në zyrën e kryetarit, ku janë diskutuar ide inovative, planifikime për Gjilanin dhe opsione tjera për vendin e lindjes.

Gjilani është krenar për mërgatën që ka dhe vazhdimisht i ka pritur e do t`i pres, sepse ata janë gjilanas që vijnë në shtëpitë e tyre, kudo që jetojnë.

Kryetari Lutfi Haziri i ka ftuar qytetarët që ta ndjekin festivalin e sotëm muzikor, në qendër të Gjilanit, por duke respektuar masat mbrojtëse anti – kovid.

“Gjilanit i mungoni dhe Gjilanin e gëzoni me vet ekzistencën tuaj. Ju jeni gjallëria e Komunës sonë dhe ju jeni forca e të gjitha familjeve këtu. Ne ju respektojmë dhe falënderojmë pafund për investimin, humanitetin, solidaritetin dhe gjithçka që bëni për vendlindjen tuaj. Ju dëshironi ta shini Gjilanin tuaj duke u zhvilluar dhe këtë bashkërisht po e bëjmë. Qofshi me shëndet të gjithë mërgimtarët, Zoti ju bekoftë dhe ju mbrojtë kudo që jemi. Ju dëshirojmë rrugë të mbarë për në vendet ku punoni e jetoni. Ne ju presim gjithmonë dhe qofshi me shendet përkundër mallit që keni”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.