Me revole dhe 40 fishekë ia mësyu qytetit – arrestohet 24-vjeçari në Gjilan

Një rast i armëmbajtjes pa leje është zbuluar pas mesnatës në Gjilan, ku Policia ka ndaluar një shofer dhe ka gjetur armë e municion në veturën e tij.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, në rrugën “Skënderbeu”, kur njësia e hetimeve të stacionit policor ka ndaluar për kontroll një Peugeot 307.

Automjetin po e drejtonte Selami Hasani, 24-vjeçar, tek i cili gjatë kontrollit është zbuluar një armë kalibër 9x9mm, një karikator i zbrazur dhe një kuti me 40 fishekë për të njëjtën armë.

Arma dhe fishekët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori, i cili ka urdhëruar që të iniciohet procedurë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.