Me shami a pa shami, prioritet duhet të jetë shkollimi i vajzave
Vana Jerliu Ramadani
Përderisa në vendet e zhvilluara punohet shumë, bëhen hulumtime të mëdha se si të avancohet arsimimi, se si të avancohet shëndetësia, ekonomia, industria, teknologjia, se si të shkollohet dhe edukohet sa më shumë që është e mundur shoqëria, në Kosovë diskutohet çështja “a duhet të lejohet bartja e shamisë në shkolla publike apo jo”.
Këtë pyetje mund ta gjejmë vetëm në vendet ku të drejtat e njeriut neglizhohen.
Sikur Kosova i ka zgjidhur disa probleme shumë të rëndësishme, si për shembull në fushën e edukimit, mjekësisë, energjisë, ekonomisë e të tjera, sikur e ka përkrahjen e gjithë botës dhe tani i ka mbetur të diskutojë çështjen e lejimit apo ndalimit të shamisë në shkollat publike.
Ky është pothuajse debati kryesor këto ditë në Kosovë.
Janë të pa kuptimta dhe pa bazë disa opinione nga disa njerëz se kinse “bartja e shamisë në shkolla është kërcënim i identitetit kombëtar”, kinse ”bartja e shamisë në shkolla është pretekst i nxitjes për ekstremizëm apo terrorizëm”.
Është shumë e thjeshtë të kuptohet se edukimi, shkollimi i shoqërisë, me shami apo pa shami, është vetëm në të mirën e shoqërisë.
Nëse ndalohet bartja e shamisë në shkollat publike, atëherë kemi diskriminuar këto vajza dhe të drejtat e tyre fetare. Për arsye të diskriminimit, rreziku është se ka mundësi që këto vajza të mbesin pa shkollim të domosdoshëm dhe nëse ndodhë një gjë e tillë, pothuajse të gjithë i dimë pasojat e mundshme.
Ndalimi i shamisë në shkolla nuk do të thotë se të gjitha ato vajza do ta heqin shaminë dhe do të vazhdojnë shkollimin, varësisht a janë mbuluar me dëshirën e tyre apo me dëshirën e prindërve të tyre.
Ka mundësi që disa të heqin shaminë për të vazhduar shkollimin në shkolla publike, por ka mundësi që disa të vazhdojnë shkollimin në institucione fetare, aty ku nuk ndjehen të diskriminuara.
Po nëse disa prej tyre vazhdojnë shkollimin në institucione fetare, atëherë shtrohet pyetja se çfarë do të jetë e ardhmja e tyre? A do të jenë ato të diskriminuara në të ardhmen në shoqërinë tonë? Cilat janë pasojat e izolimit të një pjese të caktuar të shoqërisë?
Duhet të jemi të sinqertë se nëse ndalojmë shkollimin e vajzave që mbajnë shami, në shkolla publike, atëherë ne haptas po kërkojmë izolimin e tyre.
Është me rëndësi të nënvizohet se në disa vende, mbulesa fetare për femrat është obligim, ndërsa tek ne është çështje e vendimit individual. Përveç të drejtës fetare, për hir të diversitetit duhet respektuar mbajtjen e shamisë tek ato femra që atë e bëjnë për çështje të besimit fetar.
Të gjitha vajzat duhet të kenë mundësinë e shkollimit në shkolla publike. Shoqëria kosovare duhet të krijojë mundësi që vajzat me shami të shkollohen sikur vajzat që nuk mbajnë shami. Të shkollohen dhe edukohen sa më shumë që është e mundur.
Ne duhet t`u japim mundësinë të ecin përpara me edukim e pastaj le të jetë vendim i tyre nëse duan të mbajnë shaminë apo të heqin shaminë në të ardhmen.
Të gjithë duhet të jenë të barabartë në shkollim dhe të drejta, varësisht se si duken ata. Nuk do të thotë që duhet izoluar ata që duken apo mendojnë ndryshe nga të tjerët.
Në fakt, shkollimi është i domosdoshëm për të gjithë dhe asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet mbrapa.
Si femra pa shami, si femra me shami duhet respektuar përderisa nuk i thyen ligjet e shtetit.
Lejimi i vajzave me shami në shkollat publike, nuk do të thotë se feja do të mbizotërojë në ato shkolla.
Duhet kuptuar se fëmijët kanë më pak zë në publik dhe jo të gjithë e kanë fatin të kenë njerëz që flasin për ta, por ne si shoqëri, së bashku, duhet të vetëdijesohemi që nuk duhet lënë asnjë fëmijë anash shkaku i bindjeve fetare apo politike.
Pyetja e fundit për këtë shkrim është se a duhet të këtë vend për një pyetje të tillë në Kosovën demokratike?
Bibla, Teurati dhe Kurani kanë një gjë të përbashkët – lirinë e zgjedhjes!
…………………
(Autorja është Magjistre e Studimeve të Varësive, Shëndetit Mendor dhe Magjistre e Drejtësisë Penale në SHBA)

