Më shumë aktivitet fizik, më pak receta mjekësore!

Mimoza M. Shkodra

Kur sporti bëhet parandalim dhe terapi!

Në një epokë ku recetat mjekësore po zëvendësojnë rekomandimet jetësore, dhe farmacitë janë më të mbushura se sa palestrat, pyetja që lind është: a kemi harruar vlerën parandaluese të lëvizjes?

Aktiviteti fizik nuk është vetëm rekreacion. Është mjekësi e pastër. Organizata Botërore e Shëndetësisë (2023) thotë qartë: mungesa e aktivitetit fizik është një nga katër faktorët kryesorë të rrezikut për vdekshmëri globale.

Studime të shumta konfirmojnë se lëvizja e rregullt ka ndikim të thellë në strukturën dhe funksionin e trurit.

Sipas një hulumtimi nga Universiteti i Illinois (Hillman et al., 2018), fëmijët që angazhohen në aktivitet të përditshëm fizik kanë rritje të vëllimit të hippocampusit – qendrës së kujtesës dhe të të nxënit – dhe përmirësim të funksioneve ekzekutive si përqendrimi dhe vetëkontrolli.

Një analizë e publikuar në British Journal of Sports Medicine (2021) thekson se fëmijët fizikisht aktivë kanë më pak infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, rrahje të zemrës më të ulëta në qetësi, dhe presion të gjakut më të balancuar.

Në vende si Suedia dhe Danimarka, integrimi i aktivitetit fizik në orarin ditor të shkollës ka ndikuar në reduktimin me 22% të mbipeshës tek nxënësit.

Një meta-analizë e publikuar në The Lancet Psychiatry ( 2022) tregon se vetëm 45 minuta aktivitet fizik në ditë ul simptomat e depresionit me 26% te adoleshentët. Sporti është anti-depresivi më i lirë dhe më natyral që ekziston.

Fëmijët që zhvillojnë zakone aktive në fëmijëri kanë 85% më shumë gjasa të jenë të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm emocionalisht në moshën madhore (WHO, 2023).

Në Japoni, programet e hershme të edukimit fizik kanë treguar korelacion direkt me suksesin akademik dhe social në fazat e mëvonshme të jetës.

Statistikat globale tregojnë se fëmijët që bëjnë aktivitet fizik së paku 60 minuta në ditë përdorin 25-30% më pak barna të dhimbjes, të ftohjes dhe ankthit. Në vendet nordike, ky model është pjesë e sistemit edukativ – ku sporti nuk shihet si luks, por si nevojë biologjike.

Aktiviteti fizik: “PILULA” e trupit që vepron në çdo qelizë

Aktiviteti fizik është një ndërhyrje fiziologjike e jashtëzakonshme. Kur fëmijët angazhohen në aktivitet fizik, ndodhin një varg reagimesh biologjike që aktivizojnë sistemin nervor, endokrin, kardiovaskular dhe imunitar.

Aktiviteti fizik stimulon prodhimin e endorfinave – “hormonet e lumturisë” – por edhe rregullon kortizolin, hormonin e stresit, duke ulur ankthin dhe depresionin në moshë të hershme (Biddle et al., 2019).

Nga ana tjetër, lëvizja sistematike përmirëson ndjeshëm metabolizmin e glukozës dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës – duke parandaluar shfaqjen e diabetit tip 2 (WHO, 2020).

Aktiviteti fizik gjithashtu kontribuon në zhvillimin optimal të dendësisë së kockave gjatë fëmijërisë, që është baza për të parandaluar osteoporozën më vonë në jetë (Janz et al., 2010).

Aktiviteti fizik stimulon neurogjenezën – krijimin e neuroneve të rinj në hipokampus, pjesa e trurit përgjegjëse për kujtesën dhe të nxënit (Erickson et al., 2011). Kjo është thelbësore në moshë të re, ku truri është ende në zhvillim.

Lëvizja e rregullt përmirëson përqendrimin, kontrollin emocional dhe fleksibilitetin njohës – të gjitha aftësi që ndikojnë drejtpërdrejt në suksesin akademik.

Ushtrimet ndikojnë pozitivisht edhe në sistemin imunitar, duke rritur qarkullimin e qelizave imune (T-cell, NK-cells) që identifikojnë dhe shkatërrojnë viruset apo qelizat e dëmshme (Nieman, 2019).

Tek fëmijët, kjo do të thotë më pak infeksione të rrugëve të frymëmarrjes dhe më shumë ditë aktive, jo të kaluara me antibiotikë.

Në periudha pandemike dhe post-pandemike, rëndësia e këtij ndikimi është edhe më e madhe – aktiviteti fizik është si “ushtrim vakcine” për trupin.

Studime të fundit tregojnë se fëmijët që angazhohen në 60 minuta aktivitet fizik të moderuar deri në intensiv çdo ditë, kanë rrezik 33% më të ulët për t’u prekur nga sëmundje kronike në moshën e rritur (Telama et al., 2014).

Në aspektin kardiovaskular, ushtrimet rregullojnë presionin e gjakut, përmirësojnë kolesterolin HDL dhe mbajnë në kontroll indeksin e masës trupore (BMI).

Dhe mbi të gjitha – e “ushqejnë” zemrën, mushkëritë dhe trurin njëkohësisht.

“Mjekët e së ardhmes” duhet të jenë mësuesit e Edukatës Fizike, trajnerët e shkollave dhe prindërit.

Kur fëmijët tanë rriten me vrap, ata ecin më larg në jetë. Dhe kur shëndeti ndërtohet mbi kërcime, nuk ka nevojë për receta që mbajnë pasojat e mungesës së tyre.

Sepse lëvizja nuk është zgjedhje – është mbijetesë. Dhe sporti, është receta që nuk e gjen në barnatore, por e gjen në oborrin e shkollës, të shtëpisë dhe palestrës sportive.

Thirrje për të gjithë prindërit, mësuesit dhe institucionet që kërkojnë recetën magjike për fëmijë të shëndetshëm:

Nuk ka nevojë për tableta me superfuqi: Ka nevojë për më shumë djersë në ballë dhe më pak qëndrime para ekraneve. Aktiviteti fizik është vaksina më e lirë dhe më e fuqishme që njohim!

E dimë – nuk është kaq “cool” sa një aplikacion i ri, por truri i fëmijës nuk rritet me klikime. Rritet me kapërcime, lojë, vrap dhe mundësisht ndonjë bluze me njolla bari.

Mos e lini shëndetin në radhë te barnatorja, kur fusha e sportit është bosh.

Le ta bëjmë sportin kulturë, jo terapi emergjente.