Më shumë gjoba, më pak aksidente me fatalitet në nëntë muajt e këtij viti

Më pak aksidente me fatalitet dhe aksidente në përgjithësi janë shënuar në shtator të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga Policia e Kosovës kanë thënë se kanë ndërmarrë veprime me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik.

Nga 58 mijë gjoba që janë shqiptuar vitin e kaluar, kësaj here ky numër ka shkuar në 65 151.

“Falë angazhimeve policore, periudha krahasuese e muajit shtator (2023/2024) ka rezultuar me uljen e të gjitha llojeve të aksidenteve rrugore, ku aksidentet fatale kanë shënuar ulje – 81.82%, përderisa numri i personave të vdekur ka shënuar po ashtu ulje të theksuar për – 84.62%, aksidentet me lëndime ulje për – 22.52% dhe aksidentet me dëme materiale po ashtu ulje për – 9.04%.

Përgjatë kësaj periudhe kohore ka pasur edhe aktivitete në fushatat sensibilizuese për sigurinë rrugore, si dhe janë rritur aktivitetet policore ndaj shkelësve të ligjit, ku numri i gjobave të shqiptuara është rritur nga 58.285 në 65.151 apo për 11.78%”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Por eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka kërkuar një strategji sa i përket sigurisë në komunikacion. Shala ka kërkuar që strategjia duhet të fillojë nga institucionet vendore për të vazhduar te Auto-shkollat.

“Do të duhet që Departamenti për Siguri Publike në kuadër të Policisë së Kosovës, ta rikoncetojë një strategji sa i përket sigurisë në komunikacion. Deri më tani është vërejtur një lëshim teknik dhe që po ndikon drejtpërdrejtë në vazhdimin e aktiviteteve të cilët po shkaktojnë jeta të njeriut në rrugët e qyteteve të Kosovës. Mendoj që në këtë aspekt do të duhet që të fillohet në bazë. Pra të fillohet nga Auto-shkolla, tek Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Infrastrukturës të gjithë së bashku të hartojnë sipas data bazave, shkaku e aksidenteve, vendet se ka aksidente dhe të bëhet një rivlerësim dhe një rimodelim dhe të bëhet një masë adekuate për të parandaluar aksidentet”, thotë Shala.

Shala konsideron se mungesa e theksuar e policisë në Departamentin për Siguri Publike po shkakon probleme. Madje thotë se drejtori i Policisë duhet që të bëjë të ditur planin e tij që mos të ketë raste me fatalitet, raporton EO.