Megjithatë, Vuçiq gjeti fuqi ta takojë ambasadoren kineze edhe pse u raportua i sëmurë

Mediat serbe raportuan sot se Vuçiqit i janë shfaqen disa probleme shëndetësore, prandaj ka anuluar disa aktivitete. Kjo u konfirmua edhe nga këshilltarja për media e presidentit serb.

“Shëndeti i presidentit nuk ishte në rregull sot. Nesër arrin Ursula von der Layen dhe pasnesër jemi në Nish me të, duke shënuar fillimin e punimeve në korridorin e ri hekurudhor, pas kësaj shkojmë në Dubai dhe problemet e përditshme në Kosovë. Kështu që ne vendosëm, domethënë, mjekët sugjeruan që ai të ndalet për një kohë dhe të bëjë një pushim”, ka thënë ajo për Euronews, transmeton lajmi.net.

E pyetur nëse publiku duhet të shqetësohet, ajo u përgjigj negativisht.

Por, Vuçiqin nuk e ndal sëmundja për ta takuar aleaten nga Kina.

Edhe përkundër gjendjes shëndetësore, ai ka filluar sot aktivitetet e tij duke u takuar me ambasadoren e Kinës, shtetit aleat të Serbisë.

Ky takim me Chen Bo kishte qenë i planifikuar për dje, megjithatë ishte anuluar si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Vuçiq.

Vuçiq ditë më parë është takuar edhe me ambasadorin e Rusisë me të cilin kanë vizituar edhe një bazë ushtarake.

Kjo u pa me shqetësim meqë një vizitë e tillë u bë teksa situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar si pasojë e barrikadave të vendosura nga serbët pasi Republika e Kosovës ka vendosur implementimin e reciprocitetit të targave me Serbinë.