Mërgimtari: Ka 50 vjet qysh se kopenë e deleve e lashë vetëm Lugut të Sokolave

Profesori Haki Bunjaku nuk e ka dashur kurrë mërgimin, por mërgimi i ishte imponuar atij para rreth 40 vitesh, kur po punonte profesor i Gjuhës Shqipe në Gjilan.

‘Plot 40 vjet jetë mërgimtari dhe se fundi nuk i dihet, mbase këtu do ta myllë kapitullin, sepse shiritit po i afrohet fundi’, shkruan profesori mërgimtar.

Kurrë s`kam dashur të largohem nga vendlindja, por bashkëpunëtorët spiuna ma përgaditën kulaçin me uthull. Mbajta një muaj burg nga gjashtë vjet, sa mi kishin caktue, pa dalë në gjyq, por nipi dhe shoku i idealit, Osman Arifi – Cari, atëherë prokuror publik, krye muaji më nxuerr në liri.

Eh, rrallë lindin burra të mençur e trima si Osman Arifi/Cari. Bëmirësia iu bëftë dritë në botën e amëshuar, ku heret e dërgoi helmi i kohës së çmendur dhe njerëzve të krisur.

Ai gjithmonë ëndërron të kthehet në vendlindje, por shëndeti nuk e lejon.

Shkaqet që më pengojnë me shkue në vendlindje, Desivojcë: Shtëpia në ultësirën pranë lumit është bërë shkrumb e hi dhe muret i kanë mbetur si përbindësha me nofulla epike.

Në kodrën tonë të Nezirovitëve nuk gjindet asnjë shtëpi e banuar.

Unë kam dëshirë të ulem krye shpati te Guri, si dikur me nji libër në dorë dhe të vështroj arat për karshi. Orë ka kohë që nuk mbaj e me më ikë busi i mrëmjes, s`kam ku me ia mësy, vetëm me ndezë nje zjarr në Shesh të Desivojcës dhe me i ndëgjue lorzat kah këndojnë.

Thonë: dija hallin vetit…

Por, malli i vendlindjes, i kohës së rinisë, nuk i hiqet kurrë nga mendja.

Ka pesëdhjetë vite qysh se kopenë e deleve bashkë me grigjen e kaprojve/drerëve/i lashë vetëm të mballohen bregut të Lugit të Sokolave. As Sharovi si përcjell. Deri te Rogat vijnë vetëm delet, kurse aty hezitojnë se kah do të mbërthejnë. Në vath s`u shkohet pa u grah çobani.

Fyelli është ndryshkur mbi tranin e blozmuar, por edhe mua gishtat e dorës së majtë nuk më binden.

Shpejt kohrat po i plakin gjërat, të cilat mbeten që të kujtohen vetëm si mallëngjim.

Çobania ime dikur, një lloj idile, sot vetëm mallëngjim.

Gjithnjë mendoj që kur të shkoj në vendlindje, t`i eci edhe njiherë udhët e fëmijërisë dhe të çobanisë, por siç thotë Tërnocalia: çka mendoj të dielen mbrëma në shpi, të hënën në Bujanoc po më luen hesapi.