Mergimtarja shqiptare në Gjermani e cila ishte kthyer për t`i vizituar gjyshërit, humb jetën në aksident
18-vjeçarja V. G, e cila humbi jetën ditë më parë në një aksident tragjik në Urën e Dajlanit, në Durrës, jetonte prej disa vitesh në Gjermani së bashku me familjen e saj, shkruan albinfo.ch.
Referuar burimeve pranë familjes, V.G ishte kthyer së fundmi në Shqipëri për të vizituar gjyshërit e saj, të cilët jetojnë në fshatin Dyshnik të Beratit.
Pas largimit të prindërve drejt Gjermanisë disa vite më parë, viktima dhe vëllai i saj, kishin qëndruar për një periudhë kohe pranë gjyshërve, ku edhe ndoqën arsimin 9-vjeçar, deri në momentin kur prindërit siguruan dokumentacionin e nevojshëm për t’i marrë me vete jashtë vendit.
Burime familjare bëjnë me dije se e reja nuk ishte kthyer prej vitesh në Shqipëri dhe malli për gjyshërite kishte shtyrë të rikthehej në vendlindje, një vizitë që fatkeqësisht u ndërpre në mënyrë tragjike.

