Mes vajesh e dhembjesh varroset 8-vjeçari që u vra nga fqinji

Mes lotësh dhe dhimbjesh, familjarët përcollën vogëlushin 8-vjeçar për në banesën e fundit. Në ceremoninë mortore morën pjesë banorë të fshatit e zonave përreth.

Vogëlushi u vra tragjikisht nga 38-vjeçari teksa kishte dalë të luante me biçikletë si çdo ditë të fëmijërisë së tij.

Mateo Vasiu u vra në mënyrë makabre nga fqinji i tij, i cili dyshohet se e ka rrëmbyer të miturin. Pas denoncimit të nënës, Florindës, forcat e rendit janë vënë menjëherë në lëvizje, duke nisur hetimet për rastin.

Kamerat e sigurisë në zonë, të cilat janë këqyrur nga hetuesit, kanë zbuluar momentet e fundit të 8-vjeçari, i cili kishte biseduar për disa momente dhe kishte pedaluar në rrugët e lagjes me biçikletën e atij që do të bëhej vrasësi i tij.

Trupi i pajetë i vogëlushit është gjetur i groposur në një nga cepat e banesës së autorit të dyshuar të krimit i mbuluar me baltë.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur. Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë”, sqaroi Policia.

Viktima ka dy plagë të dukshme në pjesën e kokës, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga goditja me lopatë.