Ky është mesazhi i zonjave të hekurta të Gjilanit
Me rastin e 21-vjetorit të Betejes se Zhegocit, kryetarja e Familjeve të Dëshmorëve në Gjilan, njëherësh bashkëshortja e dëshmorit Pajazit Ahmeti, Fatimja, ka dhënë mesazhin për të gjithë që dëshmorët të mos kujtohen vetëm në përvjetore, por me punë për ta realizuar misionin e përbashkët, shkruan Mediafokus.info.
Këtë mesazh, ajo e ka bërë në emër të zonjave të hekurta.
Ja postimi i plotë i heroinës së Gjilanit, Fatime Ahmeti:
21-vjetori i luftës heroike të UÇK-së në Betejën Zhegocit
Prilli është muaj i rikujtesës së kryengritjeve, përpjekjeve të shumta e flijimeve të atdhedashësve e sypatremburve për lirinë e popullit shqiptar të Kosovës!
Pikërisht, mesi i muajit prill, më saktësisht, 15 prilli i sivjetshëm shënon 21-vjetorin e Betejës së Zhegocit.
Kjo Betejë për Anamoravën, por edhe mbarë vendin paraqet pikën bazë të frontit luftarak përballë armikut, rezistencën e pashembullt; aktin më human e flijimin e madhërishëm për çlirimin e atdheut!
Në pamundësi për të shkuar sot në vendin ku u zhvillua kjo Betejë heroike, në Malësinë e Zhegocit, aty ku jehoi pushka e frymoi trimëria, shkaku i pandemisë, dje unë me disa gra dëshmorësh bëmë homazhe te varrezat e dëshmorëve, për t’i nderuar dhe kujtuar më të çmuarit tanë.
Unë bashkë me zonjat e hekurta, siç ishin edhe bashkudhëtarët tanë kemi një porosi: Mos i kujtoni Dëshmorët veç për përvjetorë me lule, por nderoni me punë për ta realizuar misionin e përbashkët, sepse falë gjakut të tyre frymojmë ëndrrën shekullore- lirinë dhe shtetin, që shpeshherë po harrojmë se sa i vështirë ishte rrugëtimi i tyre…
Të flijosh veten për lirinë e popullit, për çlirimin e atdheut është rilindje, asnjëherë vdekje!
Lavdi gjithë Dëshmorëve!
Lavdi Dëshmorëve dhe luftës së tyre heroike në Betejën e Zhegocit!
Më 15.04.2020
Me rrespekt Fatime Ahmeti, kryetare e familjeve të Dëshmorëve, dega Gjilan.
/Mediafokus.info/

