Mesele: Edhe ky Mulla Hajdini, nifarë…

Hasan Bunjaku

Baba Zenel, ndjesë pastë, ishte një fetar i devotshëm, dhe si i tillë, asgjë të re nuk donte të akceptonte e të pranonte. Kishte ngel me atë të vjetrën dhe për këtë “hyçmin e ri”, (qi s’e ka aq gat, xhanëm…), nuk donte t’ia dinte.

Derisa ishte vetëm në mohimin “teorik”, edhe nuk ishte aq problem i madh, si bie fjala kur më porosiste: “Kqyre, kta t”thojnë qi toka asht e rrumullakt, e ti me ba e me ju zanë besë, shkon pa iman!”, “Me bo vaki e me ju “konisë” (besua), qi, tybeistikfarë, nuk ka Zot, qi duhet me rrnue n’kolektiv, e mos me u ditë cila asht gruja e cilit… e ksi farë senesh… – dije qi ki me u djeg n’ZJERM T’xHEHENEMIT…” – iu përgjigjësha se të gjitha i dijë se po na “mashtrojnë” e se nuk ju besoj…

Mirëpo, kur këto gjëra vinin të aplikoheshin në “praktikë”, atëherë lindnin probleme shumë serioze, sepse ishte, mëshira e Zotit qoftë mbi të, shumë këmbëngulës e kokëfortë në bindjet e tija. Kështu, bie fjala, kur u mundësua që të gjithë ka kishim rrymën elektrike në shtëpi, ai bukur do ditë nuk pranonte që nuk e donte: “Gazi në Vllasinë, e llama në shpi teme, nuk shkon, bre vëlla” (Nga hidrocentrali i Vllasinës, fillimisht na vinte rryma); po kështu reagoi, madje edhe më ashpër për radioaparatin e parë. “Tybeistikfarë, ajo ashtu kuti e shejtanit, e shejtani flet aty me za të njerit! Po, a shtihet me men në krye mrena ai farë seni!?”; edhe më keq për televizorin: “Po de, pak ju dok qi veç zanin e koftlargit me e ngue, po tash edhe me i pa nasihatet e tina!!!”. Bindej vetm me kushtin që edhe radion.. edhe televizorin t’i mbaja në dhomën time e aty ku rrinte ai, assesi.

Problemin ma të madhin, në këtë drejtim, i ndjeri, na e pat sjell, kur në vitin 1971, e kisha rrënua shtëpinë e vjetër që ishte bërë hargallinë, dhe po ndërtoja një të rë në vend të saj. Kur e pa se çfarë themeli të fortë po i bëjmë, me hekur e beton, deklaroi prerazi: “Ju çka të doni bani, po unë n’at shpi as hi as rrnoj n’ta! PO ju a po kujtoni qi deri në ditë t’kjametit ini me rrnue, a. Çka asht gjithë ai hekër e gjithë ai qyment, qi po e qitni?! Asht xhynah prej Zotit….?!

Xhaminë e Balecit e kisha “kojshi” të parë, dhe për fat tonin, imam ishte një mulla Hajdini, emigrant nga Shqipëria, që kishte qenë atëbotë në gardën e konsullit shqiptar në Beograd, Ceno Begut. Ishte një njeri shumë përparimtar. E takova, pas një namazi, dhe po i lutem: “Aman, mulla-Hajdin, m’nimo se jam n`zor me babën. Thjesht, nuk po më lejon ta ndërtoj shtëpinë me material të fortë, me pretekst se është mëkat ndaj perëndisë, sikur “po e sfidoj atë”, po ia merr mendja atij…!”
– Hajt, mos u brengos se do ta rregulloj unë këtë punë disi – m’u përgjegj Hoxha.
Mjeshtrit vazhdonin punën sipas plan-projektit, e babai ishte bërë “tym”.

Pas një namazi të Xhumasë, Hoxha në va(j)z, mbase u kishte shpieguar se si kanë ndërruar kohet, se si dikur shtëpiat i bënim prej lloqit e thuprave, e tash po bahen mirë, qe si ky kojshia jonë, i biri i Zenelit, që po e ban me materjal t’fort, për ni ymër njeriu. Kjo është mirë , e të ngjashme…
Po vie babai nga xhamia “vet i 40-ti”, si thonë, shmonte seç munte:
– Edhe ky hoxha i Shypnisë, ky farë Mulla-Hajdini, po më del nifarë “livriçki”, e ka dallashitë udhën e zotit po m’doket krejt… Nejse, Banjani qysh t’doni me shpi, se unë sod jam e nesër nuk jam, veç gjithë ai matrjall, hiç s’po m’doket, veç…”

Kështu, shpesh më “nxirrte” Mulla-Hajdini, ndjesë pastë…