Mesele: K`to punë, n`dorë i kanë Avropat…

Hasan Bunjaku

…I shkallmuar fare fizikisht e psikikisht, diku para mbrëmjes, Babë Zeneli, erdhi në shtëpi. Nënë Metihja, ia morri kalin dhe e rehatoi në ahër, ndërsa ai, si me këmbë të plumbta, iu dha shkallëve të odës, ku po e prisnin gjyshi dhe vëllazërit “me veshë në krahë”: athua çfarë haberi do t’u sjellë lidhur me shpërnguljen për në Turqi, për çka, tashmë këtu e katër-pesë muaj, e kishin nisë “këtë udhë”; e kishin shitur tërë pasurinë, me tokë, male, kullosa, livadhe, kafshët e trasha, por edhe blegtorinë e edhe shumicën e dhive; i kishin marrë tashmë në formë kapari rreth gjysmën e parave, shumicën e të cilave, tashmë i kishin shpenzua rreth rregullimit të dokumenteve, shkuarje-ardhjeve në Shkup, dhe ryshfeteve “qatipëve” të shumtë të Konsulatës turke, gjoja për “përshpejtimin e procedurave, dhe lehtësimin e marrjes së vesikave”; për blerjen e veshmbathjeve të domosdoshme të reja, që të mos shkojnë si “prosnjakë” në Memleqetin e Islamit…
– A muj dole, djalem? – iu drejtue gjyshi Babë Zenelit, i cili si u ul në “të shtrumë”, u mbështet për muri me një disponim, i cili, vërehej, “ashiqare”, se hiç “nuk ishte në të”.
– Dola kadal, dola, o babë… – u përgjigj shkurtas e prerazi, Babë Zeneli…
– Ani, a ka naj llaf, a naj sen atje poshtë…? – pyti sërish gjyshi.
– Valla, bre babë e vllazni, n’ditë t’sodit m’u ka ftofë kjo dyje: dy kamt n’dhe m’kanë hi… pej dhimtës e sikletit. Veç me pasë kanë aty e me pa e me nije kukamën, vajin e vajtimin e grave, lotët e koxha alamet burrave me mustaqe, piskamën e f’mijëve, bile ere zanet e gjove t’gjalla; me i pa t’gjalltë kah hallashtiseshin pej t’dekmëve; me i pa burra e gra tuj u hallashtisë pej arave, livadheve, maleve, kullosave, prrojeve e krojeve – gja ma t’ranë nuk kish. Në ditë të sodit e pashë se sa shtirë koka me u da pej Memleqetit, e pej vorreve t’t’parëve… Po ju thamë, kurrë ma shumë n’kit jetë nuk jam ligshtue si sod, e kishe bukur ja kam pasë majtë vetit, se jam nifar kijaki (zemërgurë), po m’lshun burmet krejt… Nuk u marrke vesh, n’ditë t’sodit, se a ma n’qef ishin ata qi u nisën për venin e muslimanisë, apo ata qi metën n’k’to gurina e therra, e me fe tjetër përmi krye…
– Qaq siklet koka kanë, o bac, a, pash ni Allah? – pyti Baci Ramiz.
– Belivallha, asniherë nuk e kam nije vetin me zemër ma t’ligsht se sod, veç Allahi e baftë hajr…!
– Hajt, more, mos ma shurdho bythën ma me ato vajtime, se sot koke ba si grue! A i thu vetit burë, a jo?! Let nuk asht me jau kthye shpinën krejt mylkit, venit ku je le e je rritë, ku t’njeh, qysh thojnë, ere guri e ere druni, ku ke pi ujë me vjet, e ku i kije krejt t’partë n’dhe, ama, krejt-krejt, ner shka s’rrnohet, bre jahu…!
– U çue toptan katuni, po thue, a?
– Po, po : Berivojca u çue me ka krejt, e u nisën pej hudutit…
– Po, a i kemi pasë shti letrat si bashk për ato farë viska, a qysh po ju thojnë? Pse atyne iu dha iza e neve hala jo? Mos e ke ba naj gabim ti diku, se ata, nuk besoj qi bajnë hile, se janë myslimanë e i besojnë Zotit e drejt’sisë…?
– Jo, o babë, guri pa livrit s’e kam lanë, e kurgja për mosdije nuk m’ka shkue, po halli asht te syneti (syreti), se në to ishte edhe aj, e tash, qysh ju kam kallxue shumë herë, duhet me e ujdisë ere ni syret tjetër, tash pa to… Po, aj syretxhija qi e kish izën e Konsullatës, nuk asht hiç n’Shkup, se ka shkue n’Sanxhak, te do Boshnjakë, qi ere ata po ikshin për Turki, me jau ba familive ka ni syret, si neve at’herë… Pa u kthye ai pej qati farë Sanxhaki, kurrfarë mymfati nuk ka për neve…
– Demek, sebep, koka Sabrija, qi Zoti n’lula t’Xhenetit e pastë çue, me ni syret asht, e tash nuk po bajka me kanë, e në syretin tjetër nuk do të jetë, se ere ashtu nuk do të munet me kanë…?
– Bash qashtu asht puna, o babë…! – ia kthei babë Zeneli.
– O, pasha t’ lumin Allah, atë ditë qi ka dekë, niherë kujtova se don me u ba ni kurban për krejt neve, për ni udhë ma të marë, po shumë shpejt e tefqirova se ky sabi, do me na u ba prag qi s’kapërcehet katijan…
– E, knej, jemi met si gusat n’mjegëll: as te hapa as te hupa…
A pe e dini qi vera veç po shkon e na nuk kemi vyjtë kurgja. Tokën tonë e punun ata qi e blenë, e sivjet, si për inati, bereqeti asht shumë i mirë. Na kanë metë para shpirti veç do dhen e dhi e 2-3 gja t’trasha. Na duhet me i ra gurit e drunit e me e marrë at udhë sa ma shpejt, se po m’vjen ere inati pej tjerve tuj m’ngucë përditë: “Qysh po ju del Turkija e Dovleti…?! – m’veti ni Ferizi i Tërstenës, sa gati u zuna me to. K’tu t’nejtme s’kemi ma, e pat kjo punë. Unë kaq di me thanë! – foli me një zë të lartë, meqë nuk dëgjon, Mixha Ramë.
– Mej, more ti, e mos ma çaj kryt! Lavdi a korija m’bjen mue, mos u bani ju kasavet për at’ punë! Unë e kam hallin tonë, se sa për fjalët e tjerëve, bash nuk asht kah ma ninë, se fjaltë e hallkit e birat e gardhit, nuk mshelen kurrë…
– More, asht ere tjetra… Asht myqym me u mshel huduti krejt, e atëherë nime, pej çfarë pasurie qi e patëm, do t’jesim për vitra, pasha haktalanë e Zotit! – foli Babë Zeneli me një brengë e shqetësim tashmë të hapur.
– Jo, hebu, kjo punë nuk bullunisë, se Turkija ka ven sa per krejt shqiptarinë e bile i tepron, se e di unë mirë kit sen, se e kam hec vet n’kamë pej ni deti në tjetrin det e ka Baba Mret… – foli pak si me ngushëllim Baci Ramiz…
– Kurrë s’i dihet, o Ramiz: k’to punë n’dor’ i kanë ere Avropat, e si kanë veç Mretnitë e Jugosllavisë e ajo e Turkisë, po i kqyrin k’to hesape ere Mretnit tjera ma t’m’dha si Amerika; Inglizi, Moskovi, Gjermani e Taljani – foli tash baba edhe me politikë se i kish dëgjua n’Shkup, do burra të mençur… Bile, ata thoshin, qi Kralevina po do me i përzanë krejt Shiptarët pej Kosove e Makedonije, e me na i marrë vendet tona.
– O djem, për neve Shiptarve, nuk ia ka nije kurrë kurkujtë, veç Gjermani e Taliani, qi kaniherë ia kanë “ngreh veshin” Kralevinës, qi mos me na ngucë neve… Po hiçnu ktyne seneve t’fella se nuk jan’ për neve: na n’koftë kësmet po shkojmë n’Turqni, e kt’u copa u bafshin, se na shteg qi mujmë me ba gja, jo se jo, se kemi met “ni grusht” gjinsh, me ni ven t’ngushtë si n’torishtën e dhenve… Ti Zenel, hece punën sa t’mujsh, qi për mos-dije mos t’na metet gja e sa për tjerat, qysh e ka ba Zoti Hyqëm, qashtu bahet, e na pej ksaj l’kure s’un dalim…
– Po, babë po, tybe, as gjumin-gjumë nuk po muj e baj tuj fiqirue qysh me ia lidh “l’meztë” ksaj pune, veç, mue m’u ka k’put ymyzi krejt qi do t’mujmë me u nisë n’atë udhë hiç, e ishalla Zoti “nuk bahet me mentë e mija” – tha babë Zeneli.
– Po m’doket qi t’u paska ba zemra si e pulës, bre allçak! – këlthiti gjyshi. – Ti hyzmetin banja teri n’skej, e n’u baftë, bahet, e mos u baftë, mos t’bahet. Ni Zot qi na ka jaratisë , do t’na e çelë noj derë e do t’na e ban naj derman… Po, hajt tash, bani bishtin nepër sobat t’juve, e nesër dita e re – nafaka e re! Zatën, ai i meçmi mirë ka thanë: “Sabahi asht ma i meqëm se akshami”…!
– Bafsh gjumë t’amël, bablok! – i uruan, thuaja në të njëjtën kohë e me një fjalë tre djemtë Babgjyshit Demirit të Rrahmanit…
– Ere ju qashtu, se unë, ka netë qi gjumë n’sy nuk shti’… – ua ktheu Babai i tyre, ndërkaq që këto fjalët e fundit sikur i foli veç për veti, se nuk e dëgjoi njeri. (Shkruar në prill 2014)