Messi po rikthehet te Barça
Lionel Messi mund të rikthehet sërish te Barcelona, sipas raportimeve të fundit.
Padyshim se ky do të ishte një rikthim i madh, nëse do të ndodhë.
Sulmuesi argjentinas nuk ka arritur assesi të ambientohet te Paris Saint-Germain, duke qenë larg formës që kishte te Barça, transmeton Gazeta Express.
Pas eliminimit të hershëm nga Liga e Kampionëve, kanë filluar të rriten zërat se Messi mund të largohet nga “Parc des Princes”.
Sikur të mos mjaftonin këto, sot 34-vjeçari u vërshëllye nga tifozët e Parisit në ndeshjen ndaj Bordeaux.
Tashmë raportohet se ka diçka konkrete rreth largimit të mundshëm të shtatë herë fituesit të “Topit të Artë” nga PSG-ja.
Sipas gazetarit spanjoll, Gerard Romero, babai i Lionel Messit, Jorge, i cili njëherësh është edhe menaxher i tij, ka kontaktuar Barcelonën para disa ditësh për të diskutuar rreth një rikthimi të mundshëm të Leos në “Camp Nou”.
Tani për tani duket e vështirë që kjo lëvizje të realizohet, duke marrë parasysh gjendjen financiare të Barcelonës dhe pagën e lartë që Messi ka.
Mbetet të shihet nëse do të ketë “sakrifica” nga palët dhe rikthimi i madh i legjendës të ndodhë.

