Mësuesi që zgjodhi vdekjen përpara nënshtrimit
Dhuna ndaj shqiptarëve të cilët përherë kanë rezistuar kundër pushtuesve, nuk është ndalur me shekuj, por ky popull nuk është gjunjëzuar asnjëherë, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Mësuesi Nijazi Osmani nga fshati Gadish është njëri prej luftëtarëve trima, i cili u vra duke mbrojtur popullatën civile.
Humanizmi, trimëria, atdhedashuria ishin virtyte që e karakterizonin Nijazi Osmanin.
Ramadan Mehmeti nga Kishnapola, fshat ky fqinj me Gadishin, kujton kohën e luftës (1999), kur familjet u detyruan nga makineria serbe t`i braktisin shtëpitë e tyre.
Në hyrje të fshatit Gadish, forcat serbe vranë Islam Bajramin, djegën disa shtëpi dhe filluan t`i maltretojnë gra e fëmijë, duke kërkuar prej tyre informacione për UÇK-në.
Për t`i dalë në ndihmë popullsisë civile, përpara tytave serbe doli mësuesi Nijazi Osmani, i cili u tha atyre se “me gra e fëmijë nuk keni punë, ja ku jam unë”.
Serbët e torturuan dhe e vranë mësuesin Nijazi, që njëherësh ishte edhe pjesëtar i UÇK-së dhe pastaj ua vunë flakën fshatrave të kësaj ane, duke djegur shtëpitë, me qëllim që banorët të mos kenë ku të kthehen më.
Këto fshatra, që gjenden në veri-perëndim të Gjilanit, në një trekëndësh mes komunave Viti, Ferizaj dhe Lypjan, gjithmonë janë kryengritur kundër pushtuesve, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri te lufta e fundit e vitit 1999. /Mediafokus.info


