Meta: Është koha që sovrani të thotë fjalën e tij ndaj puçistëve (video)

“Është koha që Sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës”.

Me këtë apel dhe thirrje për pjesëmarrje masive në manifestimin e 2 marsit e ka nisur ditën e sotme presidenti i vendit, Ilir Meta.

Me një shënim në faqen e tij në Facebook, ku poston edhe një video nga emisioni “Opinion”, teksa pasi e puth Kushtetutën ia jep atë Fevziut, Meta thekson se “Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit”.

Postimi i Metës

Çdo qytetar i vendit tonë duhet të kuptojë se kriza e tmerrshme institucionale, ekonomike e shoqërore, si dhe rritja e pasigurisë për të ardhmen, buron nga mungesa e ndërgjegjësimit tonë si shoqëri për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës nga politikanët që për më shumë pushtet i venë kazmën themeleve të shtetit, si përmes ndërhyrjeve të nxituara dhe jo transparente, ashtu edhe përmes bërjes së ligjeve anti-kushtetuese që minojnë sundimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor, siç është bërë traditë sidomos në vitet e fundit.

Është koha që Sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës.

Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit!

Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër./mediafokus.info

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/580208242707338/?t=0