Mijëra shqiptarë në Hagë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
Ata kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të cilët po përballen me një proces të stërzgjatur dhe të shumëkritikuar gjykimi, i cili duket se ka hyrë në fazën përfundimtare.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati tha se Gjykata Speciale po përpiqet ta shtrembërojë historinë e UÇK-së.
Ai tha se “bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi padrejtësive kaq të mëdha”.
“Këtu jemi për të thënë se nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët sakrifica e Kosovës”, tha Gucati.
Robert Bosch, i cili shërbeu si ambasador i Holandës në Kosovë kur u themelua Gjykata Speciale, tregoi në protestën e sotme në Hagë se atij, sikurse edhe diplomatëve të tjerë, u ishte kërkuar që të bënin presion për themelimin e saj.
Kjo, ai tha se nuk i kishte pëlqyer dhe i ishte dukur “e pakuptimtë që serbët të mos gjykoheshin nga kjo gjykatë”, por shtoi se “e bëra punën time”.
Ai gjatë fjalës së tij kujtoi edhe një bisedë me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Më kujtohet kur e takova Thaçin, ai ishte i shqetësuar. Por, i thashë nuk ke pse të shqetësohet sepse gjykimi është i drejtë dhe ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave”, tha Bosch.
Ish-ambasadori tha se është “ofendim i madh për NATO-n” nëse e quan “UÇK-në organizatë kirimanale”, duke iu referuar akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është ofendim i madh për NATO-n, sepse NATO-ja nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, tha ai.
Protesta përfundoi e qetë, ndërsa mijëra njerëz u shpërndanë duke brohoritur emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020.


 
 
						 
						