Minatori mbetet i ngujuar prej 72 orësh, nuk ka asnjë shenjë nga ai

Edhe pse kanë kaluar 72-orë nga bllokimi i 61-vjeçarit Muharrem Plaku në minierën e Bulqizës, ende nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tij.

Grupet e Autoritetit Kombëtar të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera po vijojnë operacion e kërkim-shpëtimit të asistuar dhe nga minatorët e firmës.

Aktualisht janë nxjerrë nga nëntoka 300/m3 material, por nuk është gjetur ende asnjë shenjë e 61-vjeçarit.

Rrapush Tola, Drejtor i AKSEM deklaroi përmes një prononcimi për News 24 se po vijon puna për nxjerrjen e 61-vjeçarit dhe se janë shumë afër gjetjes së tij. Sipas tij situata është tepër e vështirë pasi ka rrjedhje të mineralit, çka e vështirëson kërkimin.

“Vazhdon puna për gjetjen e trupit të minatorit. Situata është e vështirë pasi ka rrjedhje nga mineralet. Jemi më afër drejt gjetjes së tij. Ne punojmë me 3 turne. Situata vazhdon hap pas hapi.

Është 450 metra nga hyrja e galerisë, një zonë e vjetër dhe gjatë kohës që ne punojmë mund të shembet. Punojnë rreth 4 veta në frontet e punës pasi nuk ke mundësinë të punosh me më shumë njerëz pasi fronti është i vogël”- tha Tola.

Kujtojmë se minatori Muharrem Plaku, u bllokua brenda minierës në Bulqizë nga rënia aksidentale e një masivi minerali në galerinë ku po punonte. Ndërkohë që nuk dihet ende nëse ai është gjallë apo nuk ka mundur t’i mbijetojë aksidentit. (foto arkiv)