Ministri danez i Drejtësisë vjen ta vizitojë burgun e Gjilanit

Ministri danez i Drejtësisë Peter Hummelgaard ka udhëtuar për në Kosovë për të shënuar fillimin e rindërtimit të burgut të Gjilanit, i cili do të mund t’i presë të dënuarit me dëbim nga Danimarka, raporton sot gazeta daneze Altinget, duke iu referuar një komunikate të lëshuar nga ministria, përcjellë express.

Burgu do t’i strehojë deri në 300 të burgosur të dënuar me dëbim, të cilët duhet të jenë në gjendje ta vuajnë dënimin në vend.

Në këtë udhëtim, Peter Hummelgaard do ta vizitojë vetë burgun e Gjilanit dhe do të takohet me Ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, shkruajnë në Danimarkë.

“Duhet të bëjmë çfarë mundemi për të siguruar më shumë vende në burg dhe për ta lehtësuar sistemin tonë të rënduar të burgjeve. Njëkohësisht po ua dërgojmë një sinjal të qartë kriminelëve të huaj se e ardhmja e tyre nuk është në Danimarkë”, thuhet në komunikatën e ministrisë daneze.