Ministri i Shëndetësisë prezanton masat e reja anti-Covid

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi kanë mbajtur një konferencë për media në lidhje me gjendjen e pandemisë, ku janë prezantuar edhe masat e reja anti-COVID.

Ministri Latifi u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, duke shtuar se këtë mundësi e kanë edhe gjatë vikendit.

Masat e reja që prezantoi ministri Latifi:

Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë. Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj do të kërkohet testi RT-PCR negativ ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19.

Nga 3 janari 2022 për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë. Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen në vaksinim, në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile.

Tash që ka filluar vaksinimi edhe i qytetarëve mbi 12-vjeç e tutje, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura, do të lirohen personat nën 12-vjeç, personat me dëshmi mjekësore.

Personat e tillë duhet të paraqësin testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.

Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve të institucionet publike dhe private, udhëtarëve që shërbehen me transport publik dhe privat, nxënësve dhe studentëve, shfrytëzuesve të qendrave tregtare dhe gastronomisë, do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë dhe i pjesshëm, bashkë me të rezultatin negativ të PCR.